Rama takon labin që jeton prej 17 vitesh në Hiroshima: Do kthehem në Nivicë, fshati ka marrë zhvillim
Kryeministri i vendit Edi Rama ka ndarë një video mëngjesin e kësaj të Premteje nga Hiroshima e Japonisë, ku ka takuar një shqiptar që jeton prej 17 vitesh atje.
Në bisedë me Kryeministrin, ai tregon se ëshë nga Nivica e Tepelenës dhe dashuria e bëri të zhvendosej në Japoni, atje ku jeton dhe punon tashmë prej vitesh. Ai shprehu dëshirën e madhe për t’u kthyer në atdhe bashkë me të shoqen japoneze, pasi sipas tij në Shqipëri njerëzit jetojnë më të lumtur.
“Me flamur Shqipërie e përmallim për Labërinë në Hiroshima”, shkruan Rama krahas videos.
Pjesa nga biseda e tyre:
Edi Rama: Ja ku është flamuri i kudondodhur, në Hiroshima. Por, nuk është vetëm flamuri, është edhe flamurtari.
-Kënaqësi zoti Kryeministër, është kënaqësi që na erdhe dhe kudo që shkon, shqiptarët i takon, është diçka e paimagjinueshme.
Edi Rama: Tani thuaju pak nga je…
-Jam nga Nivica.
Edi Rama: Si erdhe këtu?
-Jam nga Nivica e Tepelenës, jam martuar me japoneze
Edi Rama: Një niviciot nga maja e Kurveleshit që i mori zemrën një japonezeje, edhe japonezja e mori me vete bashkë me zemrën.
-Kam 17 vjet këtu, më mungon Shqipëria. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria, sinqerisht punoj 18 orë në ditë. Japonia është vend i zhvilluar dhe është shumë e vështirë, jam shumë i vetmuar. Më mungon vendi im dhe do kthehem shumë shpejt.
Edi Rama: Po thuaj pse do kthehesh?
-Do kthehem sepse fshati im ka marrë një zhvillim që është shumë më mirë se këtu ku ndodhem. Ndoshta njerëzit e quajnë budallallëk por vendet e zhvilluara janë shumë të vështira.
Edi Rama: Guri i rëndë në vend të vet, kursimet i ke vënë. Tani hap një agro-turizëm në Nivicë dhe të siguroj që do jesh më i lumtur. Ka ardhur koha që edhe gruaja japoneze të bëjë sakrificën e vet. Boll ndenje me njerëzit e gruas, të vijë ajo të rrijë me njerëzit e tu.
-Bashkëshortja e di si është Japonia, ajo ka qenë në Shqipëri. Unë nuk kam qenë për 17 vjet
Edi Rama: Ashtu ë? E paske nuse tamam.
-Në Shqipëri njerëzit kanë dashuri , jetojnë shumë të lumtur
Edi Rama: Lëre mos thuaj më jetojnë të lumtur se do të shajnë se të gjithë ankohen. Përshëndetje nga Hiroshima bashkë me labin këtu.