Lindjet në Gjirokastër me ‘pikatore’, 2022 me numrin më të ulët në 30 vitet e fundit
Sipas të dhënave të INSTAT qarku i Gjirokastrës po regjistron numrin më të ulët të lindjeve në rang vendi.
Bluzat e bardha në maternitetin “Dhimitër Çuçi” konfirmojnë se viti 2022 ishte më i ulëti i regjistruar në 30 vitet e fundit
“Lindshmëria si kudo në gjithë Shqipërinë edhe këtu tek ne vihet re një rënie e ndjeshme e lindjeve. Vitin e kaluar ne e mbyllëm me 286 lindje. Është shifra më e ulët që kemi në këto 20-30 vitet e fundit. Mendojmë që para dy vitesh kemi qenë rreth 350 lindje përveç viteve të tjera që kemi arritur edhe 700-800 lindje në vit,” – u shpreh Migena Kuro, shefe e shërbimit.
Ndër shkaktarët kryesorë për numrin e ulët të lindjeve është emigrimi masiv, si dhe lëvizja demografike nga Gjirokastra në drejtim të zonave të tjera të vendit.
“Pjesa më e madhe e grave janë Tepelenë, Përmet dhe zonat rurale të këtyre qyteteve krahasim me zonën rurale të Gjirokastrës dhe me qytetin e Gjirokastrës. Mbasë këtu ndikon edhe largimi i një pjese të popullatës në Tiranë apo në Janinë,” – u shpreh Kuro.
Aktualisht qarku i Gjirokastrës po përballet me largimin masiv të popullatës dhe kryesisht të të rinjve, dukuri e cila në të ardhmen do të ndikojë në zhvillimin social-ekonomik të Jugut të Shqipërisë.