Identifikohet 37-vjeçari nga Delvina që u vra gjatë përplasjes me armë në Athinë, punonte si hidraulik
Është identifikuar nga i vëllai, i riu shqiptar që u vra gabimisht gjatë përplasjes me armë të dy bandave shqiptare në lokalin në Athinë. Viktima quhet Pëllumb Islami dhe punonte si hidraulik në Greqi.
Ai po pinte kafe në ambientet e brendshme të lokalit kur u qëllua aksidentalisht me armë në klavikul.
Shkëmbimi i zjarrit ndodhi mes dy grupeve shqiptarë të trafikut të drogës, ku njëri përbëhej nga 4 anëtarë dhe tjetri nga 3.
Ata konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë, të përfshirë në grupe kriminale të trafikut të drogës. Ata janë nga Shqipëria e Jugut dhe pjesë e grupeve kriminale shqiptare. Dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të tjera të rënda në Greqi.
Fillimisht në zonën VIP të lokalit kanë mbërritur 4 shqiptarë dhe më pas u janë bashkuar edhe 3 të tjerë. Pas pak kohe, ata kanë nisur një konflikt mes tyre dhe sherri është zhvendosur në qendër të lokalit, ku ndodheshin klientë të tjerë. Në një moment, njëri prej tyre ka nxjerrë armën duke qëlluar aksidentalisht një tjetër shqiptar, i cili po shihte një ndeshje.
30-vjeçari u qëllua në klavikul dhe u dërgua në spital, por nuk i mbijetoi plagëve të marra. Mësohet se ai nuk kishte mjet identifikimi me vete. Ndërkohë 7 shqiptarët e përfshirë në sherr janë larguar nga vendngjarja me një makinë. Ndërsa të tjerët i kanë braktisur mjetet në vendin e krimit, që, sipas mediave greke, makinat janë të tipit xhip amerikanë.