Shenjëtori që i dha emrin e fshatit Çam
75 vjet më parë, disa familje myslimane të shpërngulur si shkak genocidin grek ndaj popullsisë çame, u vendosën në veriperëndim të Finiqit, pranë rrënojave të një manastiri të lashtë, dedikuar Shën Janit. Fshati i ri i krijuar u “pagëzua” me emrin Shën Jani, i transformuar në Shijan.
Manastiri i harruar ndodhet pak metra bri rrugës që lidh qytetet e Delvinën me Sarandën, në 1 km larg stacionit të Shijanit, një kodër që brezi i Luftës e lidh më së shumzi me Lapidarin (monument i diktaturës komuniste).
Fillimisht bën përshtypje vendndodhja dhe pamja e përhumbur në gjelbërim, të
kësaj kodre të vogël. Ndërsa brenda gjenden murale, që ekzistojnë ende, si elemente “kokëfortë” të mbajtjes në këmbë të Kishës së Shën Janit.
Një kolonë graniti e plotë parathotë dhe parapërgatit se je duke hyrë në një kishë jo të zakonshme. Në qendër të tempullit, gjendet një dyshek me rërë, vendosur ndoshta jo shumë kohë më parë, për të mbrojtur mbase ndonjë mozaik apo thjesht ndonjë dekorim të dyshemesë kryesore të tempullit.
Kodra përreth përmban copëra tullash të shpërndara gjithandej, të cilat gjenden jo vetëm në territorin e kishës, por edhe në afërsi të ndërtesave të tjera përreth.
Në vitin 2004, në revistën shkencore të Shërbimit Arkeologjik të Shqipërisë, është botuar studimi i parë mbi monumentin, me titull: “Rezultatet e gërmimeve në Bazilikën e Shën Janit”, Delvinë 2001 – 2003/.
Studimi është nënshkruar nga katër arkeologë të shquar: Kostas Lako, Skender Muço, Elio Hobdari dhe Ioanis Vitaliotis. Nga gërmimet dolën disa gjetje si: sarkofagë, skelete njerëzish, mbetje zjarri, monedha etj.
Shkencëtarët kanë identifikuar tre faza ndërtimi, midis viteve 900 dhe 1350. Ata vlerësojnë se manastiri u dogj në vitin 1343.
Në vitin 2017, arkeologu Elio Hobdari, publikoi një tjetër studim mbi bazilikën mesjetare të Shën Janit.
Ai rikrijon foltoren e kishës, duke mbledhur të gjitha pjesët e thyera të gjetura gjatë gërmimeve.