Gjykata e Sarandës lë në burg katër dhunuesit e Gentian Omerit
Gjykata e Sarandës ka lënë në arrest me burg pa afat 4 të arrestuarit Pjetër, Astrit, Aleksander dhe Anton Ndoj.
Prokurori i çështjes Ilir Hoxha ka paraqitur përpara gjykatës provat ndaj të arrestuarve dhe ka kërkuar masën “burg pa afat”, e cila është pranuar nga gjyqtari Alban Meçani.
Të arrestuarit nuk kanë patur pretendime dhe nuk kanë kundërshtuar kërkesën e prokurorit për masën e arrestit në burg.
Të 4 të arrestuarit do të transferohen drejt burgut të Bënçës pas mbylljes së paraburgimit në Sarandë.
Astrit Ndoj i përplasi makinën Gentian Omerit që ta nxirrte nga rruga dhe ta merrte peng ndërsa shoqërohej nga Pjetër Ndoj, Aleksandër Ndoj, Anton Ndoj dhe Alfred Ndoj.
Mjeti i Omerit përfundoi në kanal ndërsa 5 të afërmit e nxorën me forcë dhe e futën me dhunë në bagazhin e makinës duke e dhunuar për ngacmimin ndaj gruas së martuar dhe e lanë pa ndjenja në rrugë me dhëmbë dhe gishtërinj të thyer.
Shkak i këtij akti dyshohet të jetë bërë ngacmimi i një gruaje të fisit Ndoi nga Gentian Omeri.