Sarandë, procedim penal për 5 shitës, ishin pa licensë, u premtuan para policëve për të mbyllur sytë
Policia njofton se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomike, kanë ushtruar kontrolle në subjekte të ndryshme tregtare.
Si rezultat i kontrolleve janë goditur 5 raste të informalitetit dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: D. M., 27 vjeç, D. L., 62 vjeçe, S. H., 60 vjeçe, A. M., 39 vjeç dhe F. H., 55 vjeçe, pasi nuk kishin regjistruar subjektet e tyre tregtare, në organet kompetente, dhe nuk lëshonin kupon tatimor për produktet/mallrat që shisnin.
Gjatë kontrollit të subjekteve nga Policia, këta shtetas kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, duke iu premtuar shuma parash, për t’iu shmangur procedurave ligjore.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Punësimi i paligjshëm” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.