Rama: Minoriteti grek, urë e pazëvendësueshme e lidhjes mes 2 vendeve
ryeministri Edi Rama mikpriti sot në Dropull, Kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, i cili po zhvillon një vizitë në këtë bashki, me ftesë të Kryeministrit Rama.
Kryeministri Rama dhe Kryeministri grek Mitsotakis u mirëpritën nga komuniteti minoritar grek i kësaj zone, për të cilët Kryeministri Rama u shpreh se është ura e pazëvendësueshme lidhëse mes dy vendeve tona.
“Me shumë mirënjohje përshëndes të gjithë ata qytetarë si ju të Republikës së Shqipërisë me kombësi greke që i kanë dhënë jo vetëm këtij komuniteti, por i kanë dhënë shumë vendit. Falë lirisë dhe hapjes së kufijve pas një periudhe të gjatë izolimi mund të lëvizin lirisht mes kësaj ane dhe asaj ane të kufirit. Më vjen mirë që përfaqësuesit e këtij komuniteti në sipërmarrjen shqiptare janë nga më të rëndësishmit në ekonominë tonë”, tha Rama.
Ashtu sikundër, vijoi Rama, më vjen mirë që ka nga ky komunitet ka artistë, piktorë, skulptorë që aktivitetin e tyre e zhvillojnë në Janinë, por që janë të pandarë nga kjo zonë.
“Mes nesh kemi edhe Pirro Dhimën, që s’kanë lënë gjë pa i thënë, por prapë çfarë thotë Niçja “Çfarë nuk të vret, të forcon”, ti më i fortë bëhesh edhe unë si tradhtar profesionist të përshëndes”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se “ju kisha premtuar që do ta sillja këtu të birin e të atit dhe ja ku e kemi”.
“Është prekëse edhe për mua që nuk jam pjesë e minoritetit, që të jem sot këtu pas thuajse 30 vjetësh që i pari dhe i fundit Kryeministër i Greqisë ndaloi për të përshëndetur vëllezërit e motrat në minoritetit, i ndjeri babai i Kryeministrit aktual, i cili me shumë kënaqësi për hir të vërtetës e ka pritur këtë ftesë. Duhet të vinim të nesërmen e datës 6 kur kishim samitin e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, por moti ishte i keq dhe kështu u detyruam ta shtyjmë, por edhe më mirë akoma se nuk besoj se ka një ditë më të bukur për të ardhur këtu se sa në një vigjilje Krishtlindjesh”.
“Faleminderit për këtë mikpritje fantastike që është e gjitha për Kryeministrin, por unë nuk kam pse mos përfitoj nga rasti e ta shijoj këtë pamje për t’u mbledhur në këtë shesh të vogël e për t’i dëshmuar Kryeministrit bukurinë e mirëseardhjes dhe për ta celebruar këtë moment të rëndësishëm”, tha Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se sheshi kryesor i Dropullit do të marrë emrin e Konstantinos Mitsotakis, babait të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Tani edhe një shtesë, do dëshiroj që këtu para jush kryeministri t’ju japë fjalën bashkë me kryetarin e bashkisë, ne kemi përgatitur projektin e rilindjes urbane të gjithë sheshit kryesor, që do mbajë emrin e babait të Kryeministrit dhe në nderim të tij, do të vendoset edhe busti i Kryeministrit. Për të merituar një bust në të ardhmen, Kyriakos duhet të vijë nja 5 herë këtu. Për të bërë këtë duhet të fitojë zgjedhjet njëherë se si mik mund të vijë sa të dojë po nëse nuk do jetë kryeministër, bust nuk ka. Në përvjetorin e të atit shpresojmë ta kemi këtu. Kyriakos jep fjalën që do vish këtu, se unë do të jem prapë kryeministër, bashkë me mua dhe kryetarin e bashkisë në vendosjen e bustit të të ndjerit e të paharruarit këtu në këtë zonë, babait tuaj”, tha Rama.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ndodhet për një vizitë në zonat minoritare në jug të vendit me ftesë të Kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mbërriti paraditen e sotme në Himarë, ku vizitoi disa shkolla dhe kisha dhe u përshëndet me qytetarët në pedonalen e qytetit. Po ashtu, ai pati takime edhe në Finiq, Livadhja dhe më pas u prit me një ceremoni festive në sheshin e Derviçanit.