Ndryshimi qëndrimesh brenda një viti i deputetes së Sarandës: Kur Zhupa krah Bashës, shkruante kundër Berishës
Deputetja e Sarandës Ina Zhupa është ndër më të zëshmet tashmë te opozita, edhe pse pa ndonjë post të caktuar me peshë në struktura.
Por një media ka kujtuar sot faktin se ajo, afro një vit më parë, shkruante kundër Berishës krah së cilit është sot me zellshmëri te tejskajshme. Ishte ajo kohë kur deputetja Zhupa ishte rreshtuar krah Bashës, gjë që e diktonte të shkruante dhe të mbante qëndrime kundër Berishës.
Ndaj sillet në vemendje e djeshmja e saj jo e largët, kur shkruante:
“Në ditën kur duhet ngritur zëri dhe reagimi për skandalin e inceneratoreve, Sali Berisha dhe Albana Vokshi gjejnë kohën të merren me hallet personale duke larguar vëmendjen nga skandali i korrupsionit disa miliona eurosh.
Le të pyesin veten pse nuk flasin për këtë skandal? Pse përpiqen të largojnë vëmendjen nga përfshirja e zyrtareve më te lartë të qeverisë?! Pse nuk i shqetëson ky fakt?!”.
Këtë status tashmë deputetja e ka fshirë nga rrjetet sociale dhe shfaqet në publik krah kreut aktual të PD-së, sikur të mos e kishte sulmuar kurrë, komenton media që e sjell në kujtesë statusin e saj të fshirë.
Kujtojmë se Ina Zhupa do niste afrimin me Berishën fill pasi Basha dha dorëheqje.