Kreu i OSBE De Sanctis viziton Gjirokastrën, bashkëpunim në disa fusha
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Guido De Sanctis, në ditën e tij të shtatë në vendin tonë, ka vizituar Gjirokastrën.
Në takimet me kryetarin e bashkisë, prefektin dhe përfaqësuesit vendorë të Partisë Demokratike u fol për planet për zhvillimin e qytetit dhe të qarkut, sfidat, përgatitjet për zgjedhjet vendore të 2023-shit dhe mbështetjen që OSBE-ja mund të japë në fusha të ndryshme, në përputhje me mandatin e saj.
Në takimin e mbajtur në bashkinë e Gjirokastrës, De Sanctis dhe Golemi diskutuan për investime dhe projekte të ndryshme për zhvillimin e qytetit.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi në një postim në rrjetet sociale u shpreh se në takimin me ambasadorin e ri të OSBE, Guido De Sanctis, u diskutua mbi përgatitjet e zgjedhjeve vendore të pranverës, çështje të demokracisë vendore dhe qeverisjes lokale.