Jetë me mësuesinë, për qytetarinë
Nga Thoma Nika
7 dhjetori ishte dita, kur ne u ndamë trupërisht nga njeriu i dashur, nga miku i mirë nga leshnicioti e sarandioti i shqetësuar dhe nga intelektuali i spikatur i Sarandës, Andrea Caka.
U ndamë prej tij me kujtimin e njeriut që jetën e tij plot zigzage ia kushtoi mësuesisë dhe qytetarisë, edhe kur iu desh të kalonte nëpër kalvarin e vuajtjeve, që nuk ia kurseu regjimi komunist.
Andrea Caka u lind në Koçat të Leshnicës së Poshtme. Pas studimeve pedagogjike shërbeu si mësues në fshatra të ndryshme të krahinës së Vurgut dhe në shkollën “Hasan Tahsini” të qytetit të Sarandës. Nuk i shpëtoi dënimit nga sistemi i diktaturës komuniste dhe u burgos për 5 vite, me akuzën absurde “për agjitacion e propagandë”, duke përjetuar me pa të drejtë burgun e diktaturës.
Andrea Caka është skalitur në memorjen e disa brezave si mësues i dashur për nxënësit e çdo kohe, dhe shumë i respektuar nga komuniteti i banorëve ku shërbeu. Edhe kur e privuan nga e drejta e mësimdhënies, pas burgut, ai ruajti dinjitetin dhe personalitetin e tij të pacënuar në marrëdhëine me njerëzit. Ai nuk reflektoi urrejtje, por i ka shërbyer e u shërbeu tërë jetën aspiratave integruese dhe të bashkëjetesës mes komuniteteve me përkatësi të ndryshme fetare, kulturore e krahinore.
Andrea Caka është identifkuar si pena e përndjekjes në diktaturën komuniste dhe pena e integrimit të ideve dhe vlerave në shoqërinë e hapur, të dekadave të demokracisë shqiptare.
Ai bashkëpunoi ngushtë për më shumë se 10 vite me gazetën trigjuhëshe (shqip-greqisht-anglisht), të titulluar “To Orama” (Vizion), ku Andrea ka folur me gjuhën e tri kombësive. Emri dhe artikujt e tij kanë shkuar, në disa vende të botës, bashkë me gazetën “To Orama”, e cila i ka dhënë 10 vite më parë çmimin special, për kontribut me vlerë në trajtimin e temave që i përkasin minoritetit grek jo vetëm, në qytetin e Sarandës. Tragjedia shumëvjeçare është bërë libër që mban firmën e tij, si një kronikë e fateve të këtij minoriteti në Shqipëri.
Andrea Caka u le fëmijëve të vet: Thanasit, Nikos e Manthos, dhuratën më të çmuar: modelin e tij prej njeriu të fortë, të intelektualit të formuar dhe të njeriut që punëtor, që e merr jetën siç i vjen dhe mbetet i njëjti.
Ikja e tij nga jeta ka ngallur jo pak trishtim tek kushdo që e njohu Andrea Cakën, si mësues, si mik, si familjar, si fqinj, si bashkëfshatar e bashkëqytetar të Sarandës për dekada me radhë.
Andrea tërë jetën dha modelin e njeriut të dashur, modelin e njeriut të punës dhe që ndihmonte sa të mundte në kapërcimin e halleve dhe problemeve të njerëzve.
Ai iku nga jeta në moshën 93-vjeçare, por pavarësisht shifrës së viteve, lë prapa dhimbjen e thellë tek kushdo që e njohu apo punoi me të. Ai ndahet duke lënë prapa kujtimin e njeriut të mirë dhe të respektuar nga shoqëria.