PBDNJ me kandidatë të tyre në 14 maj, Dule: Synojmë Fiqinin, Dropullin dhe Himarën
Partitë të vogla opozitare duket se nuk do të jenë pjesë e primareve që Sali Berisha ka nisur, por do të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet vendore të 2023. Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj konfirmoi se në të paktën 3 Bashki, në Dropull, Finiq dhe Himarë, PBDNJ do të dalë me kandidatin e saj, pasi është i bindur se ka shanse të mjaftueshme për të fituar.
E në një kohë kur Partia Demokratike vijon të jetë e ndarë në 2 pjesë, ajo e Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt, Dule preferon të mos pozicionohet në asnjë palë, por thekson se do të kërkojë mbështetjen nga të dyja palët, pa asnjë dallim, pasi po bëhet me qëllimin e përbashkët për të fituar përballë socialistëve. Për këtë thotë se ka dakordësi edhe me Dashamir Shehin e LZHK, Fatmir Mediun e PR, Agron Duka PAA dhe Nard Ndoka, PDK.
“Do arrihet në një marrëveshje kuadër që një të mbështesë kandidaturën e një forcë tjetër në bashki që kanë veçori të caktuara që favorizojnë njërën ose tjetër. Ne kemi influencë në 3 bashki dhe do kërkojmë forcave të tjera të opozitës pa dallim, nuk mund ‘i drejtohet njërit, dhe jo tjetrit, dhe ke detyrimin që të japësh mbështetje dhe në ato Bashki që nuk ke pretendim. Mbështetjen duhet t’ia japësh atij që ka influencën më të madhe. Do dalim me kandidatë tanë në Bashkinë e Finiqit, Dropull dhe Himarë, tradicionalisht, jemi forcë e parë nëpërmjet forcave opozitare dhe për rrjedhojë logjika është që të kemi mbështetjen e të gjitha forcave të tjera politike dhe këtu nuk mund të bësh dallimin. Kemi marrë kontakte me Dashamir Shehin, Agron Duka, Fatmir Mediun si edhe Nard Ndoka, jemi duke koordinuar dhe besoj se do kemi një qëndrim të unifikuar në kuadrin e opozitës në masën më të madhe të mundshme të unifikuar”, tha Dule.