Pas sherrit për kullotën me dy persona qëlloi me armë në ajër, shpallet në kërkim 25-vjeçari nga Saranda
Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim një 25-vjeçar i cili kishte qëlluar me armë zjarri në ajër në fshatin Xarrë të Konispolit.
“Bazuar në inteligjencën informative se një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Xarrë, Konsipol, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e tij”, thuhet në njoftimin e bluve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit A. A., 25 vjeç, banues në Berdenesh, Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik, në ajër, për të kanosur dy shtetas të tjerë, me të cilët ka konflikte për një kullotë, në fshatin Xarrë. Më pas, ai ka hedhur armën në një zonë të pyllëzuar.
Gjatë kontrollit të territorit është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit automatik, me të cilën shtetasi A. A. dyshohet se ka gjuajtur në ajër. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me krehrin me fishekë.
Vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit A. A.
Materialet i kaluan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.