Ndërhyrje në tre zona në Tepelenë, Qeveria vendim për shpronësimin e pronarëve

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është marrë vendim për shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rikonstruksioni i dy rrugëve dhe një lagjeje në Tepelenë.

Më konkretisht bëhet fjalë për ata pronarë që preken nga rikonstruksioni i rrugës “Ago Çeli” dhe “Rrugës së Re”, si dhe nga ndërhyrja në lagjen “15 Shtatori” në Tepelenë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit për interes publik të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit.

Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tepelenë kryhet pas aplikimit nga Bashkia Tepelenë për shërbimin përkatës.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”.

VENDIM

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS “AGO ÇELI” DHE “RRUGËS SË RE”, SI DHE “RIKONCEPTIMI I PALESTRËS SË LAGJES “15 SHTATORI”, TEPELENË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Ago Çeli” dhe “Rrugës së Re”, si dhe “Rikonceptimi i palestrës së lagjes “15 Shtatori”, Tepelenë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tepelenë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 14 260 649.10 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e nëntë pikë dhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 14 260 649.10 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e nëntë pikë dhjetë) lekë dhe përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tepelenë, e cila e përcjell dokumentacionin zyrtarisht pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tepelenë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tepelenë për pasuritë e shpronësuara.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, pasqyron në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit për interes publik të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tepelenë kryhet pas aplikimit nga Bashkia Tepelenë për shërbimin përkatës.

12. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.