Kumbaro: “Shtegu i Biçikletave”, alternativë e re për të shijuar Llogoranë
Parku Kombëtar i Llogorasë ofron tashmë një alternativë të re për të shijuar një shëtitje në pyllin e dendur me pisha shekullore, “Shtegun e Biçikletave”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga këto shtigje, duke ftuar të pasionuarit pas ngjitjeve në mal ta vizitojnë këtë shteg.
“Një alternativë e re për të shijuar shëtitjen në pyllin e dendur të Parkut Kombëtar Llogora, siç është “Shtegu i Biçikletave”, fare pranë Qendrës së Vizitorëve. 2.5 kilometra i gjatë shtegu ju mirëpret nëse keni qejf për disa aventura në natyrë”, u shpreh ajo.
Parku Kombëtar i Llogorasë ka 23 km shtigje, të cilat janë pastruar dhe pajisur me sinjalistika informuese, orientuese dhe edukuese.
Shtigjet në Llogora ofrojnë një rrugëtim fantastik përmes peizazheve natyrore dhe biodiversitetit unik.
Parku Kombëtar i Llogorasë ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej 40 km.
Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2,018 metra mbi nivelin e detit.
Llogoraja vizitohet në të katër stinët e vitit sepse është një rrugëkalim që lidh Vlorën me jugun deri në Sarandë.