Këshilli Bashkiak i Sarandës miraton paketën fiskale për vitin 2023
Ndër vendimmarrjet më të rëndësishme të Këshillit Bashkiak për muajin nëntor, ishte miratimi i Paketës së re Fiskale, me të cilën do të punohet gjatë vitit 2023.
Deri në miratim, u debatuan edhe mjaft elemente të veçanta të saj, siç ishte taksa që aplikohet për biznesin e anijeve turistike etj. Këshilltarët vlerësuan faktin që Paketa e re Fiskale ruan të paprekur nivelin e taksimit të vitit në vijim, duke dhënë kështu impakt social.
Ndërkohë, u argumentua se tipar dallues i Paketës së re është se nga aplikimi i saj vjen shtimi i të ardhurave, për shkak të zgjerimit të bazës së taksimit.
Disa këshilltarë e shoqëruan votën pro me kërkesën që, ashtu siç mblidhen taksat, nga Bashkia të ofrohen edhe shërbimet në atë nivel. Për shërbimin e pastrimit u hodh ideja që të eksperimentohet që ta ofrojë vetë Bashkia, qoftë në një territor të kufizuar.
Projekti i Paketës Fiskale të vitit 2023, që iu paraqit Këshillit Bashkiak, u vlerësua në pajtim me ligjin, i cili nuk lejon ndryshime taksash, në se viti është zgjedhor, për të hequr mundësinë e përdorjes elektoralisht.
Kjo mbledhje, e parafundit për vitin 2022, miratoi edhe dhënien e ndihmës ekonomike, heqjen e detyrimit mujor financiar të ushqimit për vitin shkollor 2022-2023, miratoi nivelin e ri të pagave për nëpunësit civilë dhe punonjësit administrativë të Bashkisë, përjashtuar nivelin e lartë drejtues, si dhe ndryshime në Buxhetin e Bashkisë Sarandë për vitin 2022.
Këshilltarët u njohën dhe diskutuan rreth një raporti të paraqitur mbi organizimin e shërbimit veterinar dhe tregjet publike të Bashkisë.
Ndërkaq, kësaj mbledhjeje i takoi edhe miratimi i planit të aktiviteteve të Këshillit të Bashkisë për vitin 2023.