DETAJET/ Adrian Gurma dëgjesë me banorët e lagjeve 1, 2 e 3 të qytetit të Sarandës
Dëgjesa e zhvilluar me banorë të lagjeve 1, 2 e 3 të qytetit të Sarandës, është më e gjera, e mbajtur gjatë procesit të diskutimit me komunitete të projektbuxhetit të Bashkisë për vitin 2023.
Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma bëri një ekspoze të punëve të kryera gjatë vitit në vazhdim. Ai u ndal në investimet e kryera në infrastrukturë: me Rrugën Lëkurës-Kanali i Çukës, me asfaltimin e rrugës Turizëm-Kanali i Çukës, me rrjetin e brendshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve, përmirësim të ndriçimit publik në të tri lagjet e me prokurim investimesh në disa rrugë të brendshme.
Kujdesi i shtuar social u argumentua me dhënien e bonusit të strehimit për çdo rast aplikimi, me kreditë e buta që janë dhënë, me bursat e dhëna për studime dhe me ndihmën ekonomike. Duke folur për fushën e arsimit, Kryebashkiaku Gurma përmendi rikonstruksionin e kryer në shkollën e mesme “A.Athanas”, atë që do të nisë në shkollën “ A.Sheme”, si dhe rikonstruksionin e kryer në Qendrën Polivalente, rikonstruksionin dhe vënien në funksion të Qendrëes për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Forcimin e Familjes.
Një pikë e rëndësishme e ekspozesë para qytetarëve sarandiotë, ishte puna e bërë me trojet e ndërtimit, ku janë lidhur 850 kontrata, megjithë mangësitë e jashtëzakonshme të rezultuara në dokumentacion.
Duke folur për paketën fiskale që do të aplikohet gjatë vitit 2023, u theksua se nuk do të ketë asnjë taksë të rritur, ndërkohë që projektohet rritje e të ardhurave, që do të vijë nga zgjerimi i bazës së taksueshme. Kjo, nënvizoi kreu i Bashkisë Gurma, përkthehet në të ardhura që shtohen dhe krijojnë terren të shëndoshë për investime e shërbime.
Sezoni i mbarë i vitit turistik 2022, që ka impaktuar në çdo biznes dhe familje, u pa edhe si efekt i nivelit të ri e me një qasje të re në pastrimin e qytetit e riciklimin dhe e lidhur ngushtë me pasurimin e agjendës kulturore-artistike e sportive, që është mbështetur më mirë. Mjaft prej banorëve që morën fjalën në dëgjesë vlerësuan punët e mira bëra nga Bashkia në investime e shërbime me impakt në komunitet.
Ndërkohë, kanë kërkuar që buxheti i vitit të ardhshëm të bëhet mbështetje për rrugën e zonës së banuar pas Hotel “Butrinti”, të ketë më shumë vëmendje dhe investim për fëmijët, me zgjerim të institucioneve parashkollore, për kënde të reja lojërash e shtim të terreneve sportive, atje ku mundësitë janë, si dhe të shtohen mjediset çlodhëse për të moshuarit e deri të mendohet për krijim fushash tenisi, me interes turistik.
U kërkua të lobohet për zgjidhje përfundimtare të furnizimit me ujë të pijshëm e të investohet për lehtësira në parkime. Ndaj firmës së pastrimit, u kërkua të forcohet kontrolli për ta bërë më mirë detyrën.