Sarandë, PD: Pa asnjë plan, shkolla “Adem Sheme” do mbyllet për rikonstruktim
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa nga Saranda deklaroi sot se qeveria planifikon të mbyllë për rikonstruktim në mes të vitit shkollor, shkolla “Adem Sheme”.
“Shkolla “Adem Sheme” dhe ajo “9 Tetori”, janë dy shkollat e vetme që ofrojnë shërbime për nxënësit e Sarandës. Aktualisht të dyja janë të mbingarkuara me nxënës. Mbahen rreth 1200 nxënës dhe zhvillojnë mësimin me turne. Shkolla “Adem Sheme” ka pasur nevojë për rikonstruksion. Dhe ky rikonstruksion nuk është bërë gjatë periudhës së verës kur mësuesit dhe nxënësit janë pushim, por zgjidhet që tani, në mes të procesit mësimor, të kërkohet të bëhet rikonstruksioni. Dhe këta 1200 nxënës plus stafi akademik të sistemohen diku tjetër. Por ku? Këtë nuk di ta thotë asnjë institucion shtetëror, as bashkia, as ministria”, deklaroi Zhupa.
Kjo sipas saj, sepse punojnë pa plan.
”Arsimi është harruar kudo. Është harruar edhe këtu në Sarandë. Gjendja se si shkollohen nxënësit e Sarandës është e mjerueshme dhe e lënë në harresë. Në fakt në të gjithë Shqipërinë, siç e kemi denoncuar këto ditë me fakte dhe prova, kudo gjendja është e mjerueshme dhe është një nga arsyet e shumta pse të rinjtë emigrojnë dhe pse familjet shqiptare,për arsimin e fëmijëve të tyre, zgjedhin që të ikin nga Shqipëria”, u shpreh ajo më tej.