Kumbaro: Plazhe publike model, Saranda mbi 250 mijë vizitorë deri në gusht
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot në Kuvend se “turistët në Sarandë gjatë periudhës janar-gusht shënuan një rritje të konsiderueshme ku në portin e qytetit hynë mbi 250 mijë vizitorë, ndërsa vetëm në muajin shtator 32 136 vizitorë krahasuar me 7 636 në shtatorin e 2021”.
Duke u përgjigjur në interpelancën e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, Kumbaro tha se “kjo foltore s’duhet të jetë shtëpi njoftimesh funerale apo mikrofon mallkimesh të të gjitha llojeve. Saranda është destinacion i sugjeruar, i përmendur edhe në artikuj të medieve të huaja. Media zvicerane sugjeronte më 28 gusht 5 destinacionet e preferuara për shtatorin e para në listë ishte Saranda. Një tjetër titull një javë më parë e cilësonte si “shija e Karaibeve në Sarandë”. Saranda është rasti tipik kur sezoni turistik nuk mbyllet me gushtin, por vijon me shtatorin me grupe turistike dhe hotele të rezervuara deri në 15 shtator. Origjina e turistëve është e larmishme, gjermanë, italianë, polakë dhe grupe të planifikuara më parë nga grupet nordike”.
“Ky shtator është më i miri sa i përket numrit të turistëve dhe zënies së vendeve akomoduese. Edhe tetori është më mirë se tetori i vitit të kaluar se rezervimet vazhdojnë. Me rëndësi është rikthimi i kroçerave që më parë munguan dhe për shkak të pandemisë. Kroçera e parë mbërriti në Sarandë në 8 prill, kroçera e radhës ndaloi në 11 tetor e tjera në 25 tetor”, shtoi Kumbaro.
Sipas saj, prenotimet janë domethënëse, në maj-qershor mbi 60 % e kapacitetit ishin të rezervuara, në periudhën korrik-gusht njësitë hoteliere ishin të zëna 100% .
“Ka 900 njësi akomoduese hotele dhe shtëpi të dyta , pra 25 mijë shtretër. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar kemi prurje prej 25%.”, tha Kumbaro.
Kumbaro vuri në dukje se “kjo verë nga 1 qershori deri më 15 shtator ka pasur rregullisht të paktën një shkrim në javë në mediet prestigjioze duke i bërë promocion turizmit dhe destinacioneve në Shqipëri, si Fnancial Time, Le monde, CNN , The Guardian, etj.”.
Duke folur për pastërtinë në plazhe, Kumbaro u shpreh se “vetëm në Sarandë, u kryen 80 inspektime në 2 muaj e pikut. Brenda në qytet kanë qenë plazhet publike model si nga pastërtia e shërbimeve vrojtuese. Kemi nisur punën për sezonin e ardhshëm. Punët e mira fillojnë në mëngjes thotë populli. Të flasësh për turizmin do të duheshin shumë më tepër seanca se këtë vit turizmi ka qenë më i mirë se çdo vit”.
“Plazhet publike kanë qenë model si nga sinjalistika, siguria. Bashkia ka arkëtuar mbi 64 milionë lekë të reja, që i janë rikthyer publikut në shërbim pastërtie, mirëmbajtje edhe stacionin e riciklimit. Kemi miratuar VKM për rregulloren e stacioneve të plazheve, duke rritur minimumin e detyrueshëm për plazhet publike dhe jemi në përfundim të hartëzimit të stacioneve të plazhit për vitin tjetër. Aplikimet për subjektet e interesuara hapen ne 1 nentor deri ne 30 nëntor.Prandaj na ndihmoni që ky informacion të ndahet sa më shumë që të përgatitemi sa më mirë për vitin tjetër. Gjithashtu në zbatim të VKM se re për stacionet e bregëzimit dhe ankorimit, jemi gati për të shqyrtuar aplikimet për stacionet e ankorimit për mjetet lundruese turistike, nga motorat e ujit e te skafet e vegjel, për të cilat do të ketë vendqëndrime të miratuara dhe me kushte e kritere të larta për sigurinë e pushuesve në det. Janë përcaktuar numrat maksimalë për çdo bashki dhe është ngritur komisioni i vlerësimit të aplikimeve”, tha Kumbaro.
Kumbaru theksoi se “certifikimi i operatorëve turistikë detar është detyrim. Nuk do të lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre subjektet e pacertifikuara për këtë lloj veprimtarie ekonomike. Prandaj punët e mira fillojnë me mëngjes, ky është mëngjesi i sezonit te ardhshëm veror, për Shqipërinë që sipas Organizatës Botërore të Turizmit është radhitur e dyta në botë për rikuperimin e turizmit pas pandemisë, nisur nga numri i vizitorëve të huaj deri në muajin korrik me 19% më shumë se sa viti 2019”.