Gjirokaster, shtëpia Kadare rihapet për vizitorët me pasuri të reja
Shtëpia e lindjes së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare në Gjirokastër është rihapur për vizitorët pas një projekti të Bankës Botërore, që ka ristrukturuar dhe pasuruar mjediset e saj.
“Vizitorët gjejnë më shumë objekte të shkrimtarit, veprën letare dhe një interpretim audioviziv”, tha për Zërin e Amerikës udhërrëfyesi Brono Pjetri.
Pak vite më parë tek Ismail Kadare vizitonte shtëpinë tha se e kujtonte shumë mirë periudhën e hershme “kur një dritë që hynte nga dritarja e mrekullonte tek ulej dhe shkruante në një stol druri”.
Kadare e vuri në shërbim të qytetit shtëpinë e tij të lindjes, e cila u hap si muze në janar të vitit 2016 dhe është më e vizituara nga shtëpitë monumentale dhe muzetë në Gjirokastër. Kadare, 86 vjeç e ndan jetën sot mes Tiranës dhe Parisit ndërsa vepra e tij letrare vijon të botohet në gjuhë të ndryshme dhe të pëlqehet nga lexuesit në mbarë botën.