Damian Gjiknuri: Do marrim mbi 40 bashki
Njësoj siç bëri kryeministri Edi Rama në Kuç të Vlorës para zgjedhjeve parlamentare të 2021, Damnian Gjiknuri, Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, ka “shpallur” memorandumin e ‘Kontrast’, ku thotë se socialistët do të fitojnë mbi 40 bashki, pra një raport 2 me 1 përballë kundërshtarit.
I ftuar në Report Tv me gazetarët Lorenc Vangjeli dhe Denis Minga, Gjiknuri i ka cilësuar zgjedhjet vendore të 2023, si aspak të lehta, por përtej kësaj thekson se nuk i tremb aspak fakti që përballë kanë Sali Berishën dhe Ilir Metën.
“Nuk janë zgjedhje të lehta. Ka ndodhur edhe aksidente që ne territore të dominuara nga e majta ka fituar e djathta, rasti i Përmetit në 2015, dhe ne pësuam humbje fitoi PD, këto janë mësime, duan kandidat të mirë, por edhe të gjithë strukturat e PS-së së bashku me kandidatin, harmonizojmë edhe individin, por edhe struktura. Se është vështirë për të fituar. Janë gara të forta, por mendoj që kontrasti është i qartë, kandidatët dhe strukturat do i kemi më të mira. (…)Gara do jetë e fortë, kudo dhe them që PS nga të dhënat që kemi, në raport 2-1. Nuk na trembin edhe pse janë bashkë”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri renditet në krah të atyre njerëzve që mendojnë se Erion Veliaj duhet të rimarrë një mandat tjetër.
“Mendoj që Veliaj është i avantazhuar si kandidat, ka bërë beteja elektorale, mendoj që është kandidat i duhur. E Meriton të rimandatohet. Edhe sikur të mos pëlqesh diçka të PS, nuk jemi perfekt, qytetarët e Tiranës do e bëjnë diferencën”, shtoi Gjiknuri.
Nga ana tjetër, u ndal edhe te Lulzim Basha, i cili tashmë është “në prapaskenë”, duke e quajtur si politikan të paaftë.
“Basha i paaftë nga të gjitha palët politike, mendonte që pushteti do i vinte vetë, pa aleat”, tha ai.