Çfarë sjell ndërmend 95-vjeçari Piro Mosi për 9 tetorin?
Në datën 8 tetor 1944, Shuaip Hasani, përgjegjës i furrave vite me radhë, më merr për krahu, duke më thënë: “Eja të shikojmë se çfarë ka ngjarë në qytet”. Atëherë banonim në Çukë. Në pasdreke herët u nisëm në monopatin e atëhershëm dhe dolëm në rrugën Sarandë-Manastir. Por u gjendëm të befasuar përpara një skuadre me ushtarë me ngjyrë, që na ndali e na kontrolloi. Shuaipit i morën orën e xhepit. Të nesërmen u bëmë gati dhe u kthyem në shtëpi.
Atje mora haber se këta qenë neozelandezë dhe që, me gjasë, kishin zbarkuar në Heremec. Ishin ushtarë nga kolonitë britanike, të Komonuelthit.
Sipas atyre që më tregonte Illo Martiko, në Shënvasil ishin të instaluar disa topa, që, për disa ditë radhazi, qëllonin brigjet e Korfuzit.
Me këtë rast, pas kaq vite martese, pyeta Izminin: Di gjë nëse kanë banuar në shtëpinë tuaj anglezë? Më përgjigjet: “Po, kur erdha nga fshati gjeta në shtëpi krevate portative, çokollata, biskota dhe galeta”.
E pyeta për t’i siguruar, sepse e dija që në shtëpinë e Koço Papagjikës, në ato kohë, banuan disa oficerë skocezë, që kishin për veshje një farë fustanelle, por pa pala.
Nuk kujtoj nëse për 28 Nëntorin apo për më tutje, me një person të Agjit-Propit të Brigadës së 14-të, i quajtur Çoti Papuli, bashkë me Haxhi Sejkon, përgatitën një shfaqje teatrale me libret të Papulit. Kisha rolin e një afaristi perëndimor, që, duke dëgjuar radion, reagonte për lajmet e mira apo të këqia. Duke qenë në skenë, shikoja sallën, ku, në radhën e parë ishin 3-4 oficerë nga Skocia.
Ushtarët, pas kësaj date, nuk qarkulluan më në qytet. Siç dukej, i ruheshin plaçkitjeve.
Këto janë përjetimet e mia dhe janë të sakta.
Nuk kujtoj mirë kohën e largimit, por kam në kujtesë se pati një “ultimatum nga Qeveria”, se diku e kishin shkelur rregullin e mikpritjes.
Mendoj se këto kujtime do të shërbejnë të paktën për të ardhmen.
Urimet më të mira bashkëqytetarëve të mi, për një jetë më të mirë dhe të begatë.
PIRO MOSI
Goran Portland
USA