Destinacioni i javës: Qyteti antik i Butrintit, 18 km nga qendra e qytetit
Në jug të qytetit të Sarandës, mbi një kodër në gadishullin e Ksamilit, përkundrejt ishullit të Korfuzit ndodhet qyteti antik i Butrintit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Qyteti ngrihet mbi një kodrinë jo shumë të lartë, e cila laget nga të trija anët me ujë.
Në lindje dhe verilindje të kodrës shtrihet liqeni i Butrintit, kurse nga jugu kalon kanali i Vivarit që lidh liqenin me detin Jon. Kodrinën e vogël e mbulon një pyll i dendur, i gjelbëruar por edhe një larmishmëri monumentesh e rrënojash arkeologjike të periudhave të ndryshme.
Ekzistenca e tyre pa ndërprerje që prej prehistorisë e deri në mesjetë e bëjnë Butrintin unikal përsa i takon vlerave të larta historiko-kulturore.
Prej vitesh Butrinti është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore, turistike dhe njëkohësisht vendbanimi i parë i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s.