Bashkia e Sarandës: Kemi sezonin më të mirë turistik, planet tona të investimeve

Bashkia e Sarandës vlerëson se ky është sezoni më i mitë turistik veror i qytetit dhe kjo falë zbehjes totale të efekteve të pandemisë. Numri i turistëve të huaj nga destinacione të ndryshme ka qenë në rritje, me qëndrime që mesatarisht janë luhatur në 5 ditë – 1 javë.
Thoma Nika, Drejtor i Kabinetit në Bashkinë e Sarandës dhe Eva Mato, drejtore e Turizmit, nënvizojnë disa nga zhvillimet më domethënëse të kësaj vere, ashtu sikurse pranojnë se qyteti ka nevojë për investime të mëtejshme në infrastrukturë, një pjesë e të cilave po planifikohen në buxhetin e vitit të ardhshëm.
 

Si ka qenë ky sezon veror për Sarandën, duke pasur parasysh edhe vitet e mëparshme nën efektin e pandemisë, por edhe duke e krahasuar me vitin 2019, që është viti më i mirë historik i turizmit në vend?

Thoma Nika: Viti 2022 cilësohet si një vit shumë i mirë për turizmin në Sarandë. Ritmet e një sezoni turistik, ndryshe nga ai i dy viteve që lamë pas, u vunë re që në muajt e pranverës. Trend ishte turizmi i fundjavave, me turistë vendas, por edhe nga Kosova e Rajoni, rikthimi i studentëve për praktikat e tyre mësimore dhe edukative dhe më e rëndësishme, për këtë vit ishte rikthimi i kruazierave dhe turistëve ditorë, që hyjnë përmes Portit të Sarandës.

Gjithashtu, rikthimi i linjave ditore të trageteve dhe ardhja e turistëve ditorë në Sarandë, përmes Portit të Korfuzit shënoi trend në rritje, krahasuar me periudhën e dy viteve të pandemisë. Saranda hyri në fashën e lartë të turizmit që prej mesit të muajit korrik, për të vazhduar gjatë gjithë gushtit.

Cilat janë grupet e turistëve të huaj që keni vënë re të vizitojnë më shumë Sarandën këtë sezon, flasim për shtetësinë? Po sa u takon grupmoshave?

Eva Mato: Ky sezon turistik ishte plot surpriza për sa i takon gjeografisë së ardhjes së turistëve. Ajo që vlerësohet sivjet është rikthimi i vizitorëve nga Europa Qendrore dhe Perëndimore, si gjermanë, spanjollë, italianë, francezë, anglezë etj. Pas një ndërprerje 3-vjeçare janë rikthyer turistët nordikë (ku përfshihen kryesisht ata norvegjezë, suedezë dhe finlandezë).

Sezoni filloi me turistët në fundjavë, kryesisht nga Kosova dhe Rajoni, vijoi gjatë muajve qershor dhe korrik me turistë të ardhur nga Gjermania, Franca, Ukraina, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Polonia, ndërkohë që gjatë gushtit mbizotërojnë turistët nga Italia, Spanja, Franca, Danimarka, Polonia.

Drejtoria e Turizmit në Bashkinë e Sarandës, për të bërë një verifikim dhe raportim në terren, ka përgatitur një pyetësor në lidhje me trendin e turistëve, kombësinë e tyre, grupmoshën, pikat e hyrjes në Sarandë, ditët e qëndrimit të tyre në qytet, mënyrën e akomodimit, çfarë pëlqejnë më shumë dhe më pak në qytet dhe një rubrikë me komente të ndryshme.

Saranda është vizituar gjatë kësaj periudhe më tepër nga turistë të ardhur nga: Gjermania, Italia, Ukraina, Franca, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Polonia, Kosova, Anglia, Spanja, Serbia, Republika Çeke, por edhe nga Finlanda, Holanda, Sllovenia, SHBA.

Pikat kryesore hyrëse për në Sarandë janë Porti i Sarandës dhe përmes Tiranës (Aeroporti i Rinasit – Tirana).

Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur individualisht, ose me familjet e tyre dhe më pak janë të organizuar në grup.

Shumica e personave të pyetur kanë planifikuar të qëndrojnë në Sarandë nga 5 ditë – 1 javë dhe më tepër dhe kanë zgjedhur për akomodim si hotelet, ashtu edhe dhoma me qira (shtëpi të dyta).

Për sa u takon preferencave të tyre në qytet, shumica janë shprehur se në Sarandë parapëlqejnë detin, destinacionet turistike dhe kulinarinë.

Po turizmi patriotik si duket këtë vit, flasim këtu si për vendasit, si për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut?

Eva Mato: Turizmi patriotik ka qenë dhe vijon të jetë edhe sivjet një trend në rritje, sidomos me turistë kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Turistët nga Kosova ishin ndër të parët të ardhur në muajt e pranverës, kryesisht në fundjavë.

Kjo është periudhë që korrespondon edhe me një event të rëndësishëm të ndërmarrë nga Bashkia e Sarandës, që u zhvillua në Kosovë, nën emrin “Ditët e Sarandës në Prishtinë”, i cili vijoi edhe në qytete të tjera si Gjakovë dhe Suharekë.

Për 3 ditë me radhë, në kryeqytetin e Kosovës u transmetua “një shije” Sarande, nëpërmjet takimeve zyrtare, aktiviteteve artistike, ekspozitës së destinacioneve turistike, kulinarisë, punimeve artizanale për të paraqitur kështu një paketë më të plotë turistike për bashkatdhetarët tanë dhe për të krijuar mundësi bashkëpunimi në fushën e turizmit, por edhe më gjerë.

Ajo që i favorizoi së tepërmi turistët vendas në këtë sezon turistik ishte edhe hapja e rrugës Kardhiq – Delvinë, e cila shkurtoi ndjeshëm kohën e mbërritjes në Sarandë.

Një nismë tjetër e veçantë e Bashkisë së Sarandës për vitin 2022 ishte edhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit për turizmin e integruar dhe pa kufij midis disa bashkive të Qarkut të Vlorës. Nisi në fillim si një bashkëpunim midis Bashkisë së Sarandë e asaj Finiq për të vijuar më tej me Bashkitë e Delvinës, Himarës e Konispolit.

Sa është numri i strukturave akomoduese në Sarandë dhe numri i shtretërve, po okupanca në hotele si ka qenë?

Eva Mato: Struktura akomoduese të regjistruara për vitin 2022 janë 880 (përfshihen hotele, motele, bujtina, dhoma me qira).

Totali i dhomave që ofrohen për pushime është rreth 10 mijë (9.680) ose rreth 25 mijë shtretër (24.040).

Në muajt e parë të verës, ato punonin me rreth 50-60% të kapaciteteve të tyre. Ndërkohë gjatë pikut të sezonit turistik, okupimi i tyre ishte 100%.

 

Cilat janë disa nga investimet në infrastrukturë që ka bërë Bashkia e Sarandës këtë vit?

Thoma Nika: Përveç shëtitores së re, që ka përmirësuar dukshëm imazhin dhe ofertën turistike të Sarandës, duke i shtuar kësaj edhe investimin për Rrugën Kardhiq-Delvinë, i rëndësishëm ishte edhe investimi për të sjellë në të njëjtët parametra edhe distancën nga Shenjani në Sarandë, në mënyrë që kjo rrugë t’i shërbejë tërësisht prurjes turistike dhe të bëhet Kardhiq-Sarandë.

Vështirësia e lëvizjes në një trafik të shumëfishuar për shkak të pushuesve, është zbutur, duke riparë senset e lëvizjeve në rrugët e qytetit, shoqëruar me tabela orientuese dhe lehtësuese.

Një investim me ndikim të konsiderueshëm ishte ai për bypass-in Lëkurës-Kanali i Çukës, që hyri tërësisht në funksion këtë verë. Me këtë bypass lehtësohet kalimi i të gjithë pushuesve që destinacion kishin Ksamilin, pa qenë e nevojshme që ata të hyjnë në Sarandë e kështu edhe për daljen. Ky investim lokal bëri që për në Ksamil të udhëtohet, duke kursyer kohë, duke përshkuar një rrugë panoramike, pa sjellë rëndim të trafikut, ndërkohë që rriti dukshëm vlerën e pasurive përgjatë saj.

 

A ka ndonjë projekt për ndërhyrje në pjesën e Rrugës Butrinti? Flasim për rrugën SH81 nga pjesa mbi Santa Quaranta deri te hyrja në Bulevardin e ri, si dhe pjesa e vazhdimit pas përfundimit të Bulevardit?

Thoma Nika: Rruga nga Santa Quaranta deri në afërsi të shëtitores së re është e njohur për ne, për problematikën që paraqet. Kjo është arsyeja që ajo do të jetë në fokusin e investimeve për verën e ardhshme, duke u programuar rehabilitimi i saj në buxhetin e vitit 2023.

Po sa u takon investimeve në ujësjellës-kanalizime, cilat janë investimet tuaja, por edhe ato në projekte në proces?

Thoma Nika: Që këtë verë, furnizimi me ujë ishte një shërbim i përmirësuar dukshëm në Sarandë, falë investimeve të kryera në zona problematike, siç ishin Lugu i Dardhës, zona “Baba Rexhep” etj. Ndikim pozitiv dha sidomos vënia në punë e depos së ujit në Lugun e Dardhës.

 

Cilat kanë qenë disa nga aspektet që keni vënë re në plazhe?

Eva Mato: Nga Kepi i Qefalit e deri në Butrint janë rreth 45 km vijë bregdetare, përfshirë në territorin administrativ të Bashkisë së Sarandës. Brenda kësaj hapësire ofrohen 147 stacione plazhi që administrohen nga subjekte private (66 me kontratë shumëvjeçare e 77 me kontratë njëvjeçare dhe 4 pa kontratë), Funksionojnë 4 plazhe tërësisht publikë në qytetin e Sarandës (Pllakat-Monument Natyror- Plazhi i Ri – Centrali – Rinia dhe Paradise). Të shprehura në sipërfaqe: janë 80 mijë m² plazhe në administrim privat dhe 14 mijë m² publik.

Saranda 360 gradë

RISI TË KËSAJ VERE:

  • Rikthimi i vizitorëve dhe pushuesve nga vende të Europës Qendrore e Perëndimore (gjermanë, spanjollë, francezë, italianë, anglezë etj.) Një vit më parë, ky treg për ne ishte i kufizuar.
  • Ndryshimi nga një vit më parë: mbizotëronin turistët nga vendet e Lindjes (polakë, ukrainas, serbë, bjellorusë, rusë etj.)
  • Rikthimi i turistëve nga vendet nordike (norvegjezë, suedezë, finlandezë), pas një ndërprerje 3-vjeçare për shkak të pandemisë.
  • Rikthimi i turizmit të kruazierave dhe turistëve të huaj ditorë, që hyjnë përmes portit turistik të Sarandës

 

REALITETE, SONDAZHE DHE DUKURI:

  • Saranda, prej 15 korrikut deri në fundin e gushtit ishte në fashën e lartë të turizmit dhe në masën 80% janë ata që vazhdojnë të pushojnë në Sarandë edhe në vjeshtën e parë, pasi prania është e dukshme dhe rezervimet vazhdojnë për deri në fund të shtatorit.
  • Statistika tregon se është shënuar rritje e prurjes turistike deri tani, me 15-20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
  • Rezervimet në hotelet e Sarandës dhe Ksamilit në përgjithësi patën një rritje të dukshme, që iu përgjigjën përgatitjeve shumë më herët dhe më cilësore për këtë sezon, si dhe pritshmërive tona.
  • Treguesit janë të tillë që tregojnë se kishim një sezon të mirë, në disa tregues edhe në raport me vitin më të mirë, 2019.
  • Përveç turistëve me ture pushimesh, mori zhvillim më të mirë turizmi i fundjavave, me turistë vendas, si dhe me shqiptarë të Kosovës dhe nga trojet e Rajonit, falë investimit në infrastrukturën rrugore, që ka shkurtuar largësitë (Tuneli i Skërficës)
  • Koha e qëndrimit varion nga pesë ditë në një javë të plotë.
  • Porti turistik i Sarandës mbetet një nga portat e mëdha të hyrjes. Këtë sezon, deri tani, nga Porti i Sarandës rezulton të kenë hyrë 150 mijë turistë dhe më shumë se 400 jahte. Vetëm gjatë muajit qershor, atje u shënua një rritje e fluksit turistik me 24% më shumë se i gjithë viti i kaluar.
  • Qyteti antik i Butrintit është në interesin kryesor të vizitorëve vendas e të huaj. Statistikat tregojnë se vizitorë të tij në 8 muaj kanë qenë rreth 60 mijë. Gushti shënoi një numër rekord vizitorësh në Butrint, me mbi 21 mijë.
  •  Syri i Kaltër është vizituar deri tani nga 93 mijë vizitorë, në 8 muaj.

PORTAT TONA HYRËSE:

  • Rruga detare, nëpërmjet Portit të Korfuzit
  • Rruga ajrore, nëpërmjet Rinasit dhe Aeroportit të Korfuzit (për të vijuar udhëtimin me anije drejt Sarandës)
  • Rruga Kardhiq-Sarandë
  • Rruga e Bregdetit (Vlorë-Sarandë)
  • Hyrja nga kufiri tokësor (përmes Qafë-Botës)

 

DISA NGA PLAZHET MË TË FREKUENTUAR:

  • Gadishulli i Ksamilit me ishujt
  • Pema e Thatë
  • Krorëza e Kakomeja (ku shkohet me anije dhe skafe)
  • Plazhet publike përgjatë shëtitores së Sarandës janë përditë e më të frekuentuar, edhe për shkak të afërsisë dhe sepse ofrohen falas

ÇMIMET

  • Saranda nuk është e shtrenjtë, kundrejt shërbimit që merr dhe ku e merr
  • Çmimet janë të qëndrueshme, por bizneset vazhdimisht janë porositur të bëjnë kujdes dhe të mos luajnë me çmimet, pasi fitimi i shtuar i momentit “djeg” biznesin për verën tjetër dhe dëmton imazhin e gjithë destinacionit.
  • Çmimet që ofrohen për akomodim dhe ushqim ishin pothuajse ato të një viti më parë, me gjithë vështirësitë që kalon biznesi, për shkak të krizave
  • Përjashtuar disa Hotele të vijës së parë, të kategorisë VIP në vijën e parë dhomat edhe në pikun e sezonit ofrohen me jo më shumë se 60-70 euro. Apartamente për familjarë pranë vijës së parë ofrohen gjithashtu me 60-70 euro/nata.
  • Përjashtim nga kjo situatë e qëndrueshme me çmimet bëjnë disa raste, kur subjekte të veçanta ka ndodhur të ofrojnë tarifa më të larta në shërbimin e shezlongëve dhe çadrave, sidomos në Ksamil. Por ishte në zgjedhjen e çdo pushuesi t’i zgjedhë ato ose jo, pasi edhe çmimi i këtij shërbimi nuk mbahet i fshehtë.

 

 OPSIONE ARGËTIMI

  • Shëtitje me anije turistike përreth Gjirit të Sarandës mbrëmjeve
  • Ture në destinacione të trashëgimisë kulturore (Butrint, Mesopotam, rrjeti i muzeve tona (Muzeu i Traditës, Historik dhe Arkeologjik), vizita në Galerinë e Artit “Art-Saranda”.
  • Jeta e natës
  • Turet me Jeep safari (ku preferohet kryesisht eksplorimi i Bregdetit-Piqeras-Borsh)
  • Diving (zhytje në Detin Jon në Sarandë – anija e mbytur)
  • Shëtitje me gjysmë nëndetëse për të eksploruar botën nënujore, ndërkohë që je në sallonin e gjysmë nëndetëses.
  • Shfaqjet artistike e kulturore me forcat lokale interpretuese e ekzekutuese dhe të ftuar. Për çdo mbrëmje nga 15 korriku deri me 15 shtator u ofrua një kalendar ngjarjesh artistike e kulturore, që tërhoqën interesin e publikut dhe të turistëve vendas e të huaj, si në skenën e Sarandës, edhe në skenë e instaluar në Ksamil.
  • Pjesëmarrja në Festat lokale, ishte një tjetër ofertë interesante që afroi pushuesit me komunitetet

ATRAKSIONE TË PAEKSPLORUARA

  • Bunkeri “Memorie ‘78” në Sarandë, (si simbol i turizmit të së keqes) që përmban informacion dhe detaje interesante mbi struktura të Luftës së Ftohtë
  • Muri i Demës në vendin e quajtur Manastir, në afërsi të Ksamilit
  • Shpella e nëndheshme e Manastirit, po aty
  • Tuneli si vendstrehim i popullatës për “kohë të veçantë” (nga Rrapi i Sarandës deri në ish-vendkomandën e komunizmit në Qafë të Gjashtës
  • Poligoni nënujor i Ksamilit, ku janë zhytur silurues të ish- bazës detare të Marinës së Sarandës, të shkatërruar më 1997.

 

NDIKIME NGA TURIZMI I INTEGRUAR

  • Saranda, Finiqi, Konispoli, Himara, Delvina dhe Gjirokastra kanë filluar ta shohin veten si stacione të një zinxhiri turistik
  • Jemi bashkuar në një Memorandum Bashkëpunimi, që në fakt është nisma për ta bërë sivjet turizëm përtej kufijve territorialë, që mundësoi zgjerimin edhe te kufijtë sezonalë
  • Çdo turist që vjen në Sarandë informohet se jo shumë larg detit të Sarandës dhe Ksamilit, janë malet e fshatrave të Finiqit, xhamia e Gjin Aleksit në Delvinë, Qafa e Pazarit dhe Kalaja në Gjirokastër, Kisha e Shëngjergjit apo Manastiri i Mesopotamit, Krojet e Xhermë-hallës në Delvinë, apo plantacionet e mandarinave në Mursi e Konispol.