Ana tjetër e Sarandës
Saranda po zhvillohet si një model turistik me potencial elitar por kaosi i ndërtimeve dhe mbetjet duket se zbehin këtë shkëlqim të qytetit më jugor të vendit. Përballë investimit më të madh që lidhet me Bulevardin e ri, qëndron një anë tjetër e qytetit ku rrugët kryesore të mbushura me strukturat akomoduese janë në gjendje të mjerueshme. Këmbësorëve u duhet të bëjnë akrobaci për të ecur në një monopat mundimesh sa herë përshkojnë këto rrugë. Të pakënaqur sidomos me infrastrukturën e dobët, mungesën e informacionit dhe mundësive të transportit publik dhe mbetjet që “flenë” kudo, shumica shprehet se nuk do të kthehet sërish
Anxhela, Libera, Ana dhe Maria janë katër turiste italiane nga Napoli që prej një jave po vizitonin Sarandën. Me profesion ish-mësuese dhe tashmë në pension kishin vendosur që këtë vit të udhëtonin në Shqipëri.
Kishin ardhur nga Korfuzi dhe përshtypjet e tyre nuk paraqesin një tablo edhe aq shkëlqyese sa prisnim, kur u thamë nëse mund t’ju bënim disa pyetje për vizitën e tyre. I shohim që ecin ngadalë, duke biseduar me njëra-tjetrën në atë që mund të quhet trotuar, por shumicën e kohës kokën e mbajnë poshtë, duke kontrolluar me imtësi rrugën.
Nuk mund të shkëpusin vështrimin nga toka dhe kur duan të flasin për diçka të rëndësishme, të katërta qëndrojnë në vend. Edhe ne si ato, jemi duke ecur në të njëjtën rrugë, që nis nga zona mbi resortin Santa Quaranta e deri tek hotel Butrinti në qytet. Ankesat e tur-operatorëve dhe turistëve na bënë që të shkonim e të shihnim nga afër dy anët e rrugës që ka potencial për t’u kthyer në një shëtitore dhe kështu do të ishte, por për momentin je me fat nëse nuk bëhesh njësh me tokën kur je duke ecur.
Në pamje të parë gjithçka nuk duket aq dramatike, por kjo ndoshta lidhej me faktin që edhe ne në asnjë moment nuk shkëputëm vështrimin nga toka dhe arritëm të ruanim balancën nëpër disnivelet dhe gropat e vazhdueshme të një rruge që shkon më shumë se tre kilometra.
Por në kthim kur ishim më të mësuar me terrenin dhe patëm mundësi të shihnim edhe çfarë ndodhte rrotull në harkun e vetëm 30 minutave u bëmë dëshmitarë të tre rrëzimeve në tentativë që ishin jo dhe aq pa pasoja. Për të përforcuar edhe më shumë këtë mjaft të lexosh komentet në faqen e kryeministrit Edi Rama në një postim të qytetit të Sarandës në fund të gushtit, ku shumica ankohen pikërisht për kaosin në rrugë dhe ndërtime.
Infrastruktura dhe ndërtimet, kontrastet që zbehin shkëlqimin e Sarandës
“Kjo është hera jonë e parë që vijmë në Sarandë. Nuk besoj se do të vijmë më. Jemi katër shoqe që udhëtojmë shpesh dhe kemi shëtitur destinacione të ndryshme në botë, por këtë vit thamë të vijmë në Shqipëri.
Është për të ardhur keq që një qytet që ka pasur kaq shumë potencial për t’u zhvilluar siç duhet në turizëm në fakt duket kaq kaotik. Nuk mund të shijojmë asgjë gjatë një shëtitjeje nga hoteli në Bulevard, pasi na duhet të jemi të kujdesshëm gjithë kohën rrugën që të mos rrëzohemi.
Në qendër te Bulevardi vura re se kishte një tjetër pamje, por edhe aspekte pozitive. Për shembull, mbetjet ishin të grumbulluara dhe ishte shumë pastër, por sapo kalon atë zonë dhe hyn në rrugën ku po ecim tani ka shumë mbetje dhe erë të keqe”, – na pohon Ana.
Mikja e saj, Anxhela, konfirmon me kokë gjithçka të thënë, por shton se Saranda ka hotele shumë të mirë, me komoditet dhe investime të shumta në lokale nate që janë vërtet mbresëlënës, por e gjithë kjo është në kontrast të plotë me rrugët dhe infrastrukturën.
Jo gjithçka, sipas tyre, është negative, por në një vend që e mbështet jetesën tek turizmi ka nevojë për më shumë vëmendje edhe ndaj detajeve që në këtë rast nuk janë edhe aq të vogla dhe pa rëndësi. Për një gjë bien dakord të gjitha ama, mikpritja.
Na kanë lënë përshtypje shumë të mira sjellja e vendasve me turistët. Janë të gjithë shumë të sjellshëm dhe mikpritës, duke nisur nga hoteli e deri te njerëzit në rrugë apo dyqane ku ti mund të kërkosh informacion. Na ka bërë pak përshtypje që Saranda nuk e ka të plotësuar produktin e saj me gjëra tipike shqiptare që ta bëjnë origjinale dhe kur je këtu ta ndjesh që je në Shqipëri.
Ndoshta duhet të promovohen më shumë produktet vendase”, – konfirmon Libera. Sipas tyre, Saranda duket sikur e ka humbur shansin e saj të një turizmi elitar, për shkak të ndërtimit kaotik dhe masiv, si dhe mungesës së një orientimi të qartë në investime që të mbështesin këtë lloj mikpritjeje.
“Nëse do të vijmë në Shqipëri, sigurisht që nuk do të jetë më në Sarandë, por kemi kureshtje për Beratin dhe ndoshta në pjesën e Shqipërisë së Mesme dhe disa destinacione të tjera do të bëjmë edhe një udhëtim tjetër”, – pohojnë turistet italiane.
Transporti publik i paorganizuar ishte një tjetër pikë që ato e vlerësuan negativisht.
“Na u desh të prisnim mesatarisht një autobus 30 minuta më shumë sesa orari. Për të shkuar diku nuk ke shumë orientime. Kur vizituam Kalanë e Lëkurësit na u desh të paguajmë një taksi 140 euro për katër persona. Mendoj që është një çmim i lartë.
Sigurisht e ndarë për katër nuk është dhe aq e shtrenjtë, por nëse e merr si total për shërbimin, mendoj se është shtrenjtë. Edhe ushqimi nuk është aq i lirë mesa kemi vënë re”, – tregon Ana. Të mësuar me një rrjet hekurudhor të miradministruar në Itali, pyetja e tyre ishte: A ka ndonjë hekurudhë në këtë rajon që mund të shfrytëzohet? Përgjigjja jonë “jo” duket se i la pak të menduara.
Gjatë ditës patëm mundësinë që në një nga plazhet e Sarandës të flisnim dhe me Karlin dhe Lindën, çiftin suedez që sapo kishte ardhur në qytet po nga Korfuzi.
“Do të qëndrojmë një javë në Shqipëri. Kishim disa alternativa që po i shqyrtonim për pushimet tona këtë vit dhe në fund vendosëm të vinim këtu. Zgjodhëm që gjërat t’i bënim vetë, rezervimet dhe një natë kemi qëndruar në Korfuz, kurse tani po qëndrojmë në një shtëpi që funksionon nëpërmjet AirBNB.
Ushqimi është shumë i mirë dhe shumë i lirë në raport me vendet e tjera që kemi vizituar, vera jo dhe aq, qyteti ka shumë popullim, pra shumë turistë. Ajo që na ka bërë përshtypje jo pozitivisht janë mbetjet, i sheh kudo dhe kanë shumë erë. Sigurisht edhe për syrin disa zona të qytetit nuk janë estetikisht , pasi mungojnë shumë gjëra”, – pohon Linda.
Akrobacia e daljes me fëmijë, si pushimet kthehen në stres
Merti dhe gruaja e tij irlandeze kanë dalë një shëtitje me vajzën e tyre që ende s’ka mbushur dy vjeç dhe qëndron qetë në karrocën e saj. Por kaq të qetë nuk duken prindërit e saj, teksa u duhet të bëjnë akrobaci me karrocën, duke e nxjerrë herë pas here në rrugën e makinave, sepse trotuari ose ekziston aty sa për të thënë që ka (nuk shkon gjerësia me shumë se 30 centimetra), në disa raste është gllabëruar nga ndërtimi në anë të rrugës e në të tjera, gropat nuk e bëjnë komode këtë ecje.
“Jetoj në Irlandë me bashkëshorten dhe kemi ardhur këtu për pushime pas këmbënguljes së vazhdueshme të prindërve të mi. Ata kanë shtëpinë e tyre këtu dhe donin që të ishim të gjithë së bashku këtë verë.
Për herë të fundit kam qenë para tre vitesh dhe arsyeja pse nuk kam ardhur ka qenë stresi që të shkaktohet kur je me pushime në këtë zonë, sidomos nga trafiku, por edhe gjendja e rrugës.
Nëse del në plazh dhe je me fëmijë të vogël si ne, në drekë duhet të shkosh të pushosh në shtëpi apo hotel. Minimumi të duhet një orë e gjysmë të kalosh këtë trafik. Edhe tani në mbrëmje nëse del me karrocë, pra në këmbë për të shmangur trafikun është stres më vete, pasi nuk ke ku kalon.
Është e tmerrshme e gjithë kjo dhe nuk mendoj që do vij më këtu për pushime”, – pohon Meti. Teksa ndahemi dhe ai vazhdon së bashku me bashkëshorten rrugën e stresit, vetëm pak metra më tutje dy të rinj rrëzohen dhe njëri prej tyre gati bie mbi karrocë.
Afrohemi të shohim se çfarë ndodhi dhe mund të konstatosh lehtë se në këtë pjesë nuk ka trotuar, është një gropë e madhe, e cila është sajuar me dru, por që shumica e dërrasave të vendosura nuk ekzistojnë më. Si këto sajime shqiptare mund të hasësh edhe të tjera përgjatë rrugës, ashtu sikurse një tjetër turisteje u përplas me një pemë të prerë trungu i së cilës del gati 30-40 centimetra mbi trotuar.
Biznesi një hap para shtetit, ky i fundit nuk kap dot ritmin
Ndër vite, koha ka treguar se sipërmarrjet janë gjithmonë disa hapa parë shtetit kur vjen puna te zhvillimi dhe projektet. E njëjta gjë ndodh edhe me Sarandën, sidomos në vijën më të gjatë të hoteleve të këtij qyteti.
Mjafton të përshkosh rrugët jashtë Bulevardit të ri për të kuptuar se të vetmet copëza me standard që mund të hasësh nëpër katrahurën urbane janë ato investime të bëra nga vetë bizneset, kuptohet kur këto janë të mëdha dhe ofrojnë një standard të caktuar brenda strukturës së tyre.
Pjesa e jashtme e tyre është e kuruar, ka kujdes për mbjellje pemësh dhe lulesh, pjesa e trotuarit jashtë hotelit është e shtruar edhe pse secili ka zhvilluar këtë aspekt sipas dëshirës, duke mos ruajtur një standard të caktuar.
Turizmi na Sarandë ka hyrë në një fazë zhvillimi mbresëlënës dhe një modeli që nëse do të mbështetej siç duhej, mund të sillte të ardhura të konsiderueshme për një segment disi më të zgjedhur sesa ai masiv i Durrësit. Por edhe pse strukturat dhe profili turistik i ndërtuar i përgjigjet kësaj kërkese, zhvillimet në terren në qytet dhe detyrat që duhet të kryejë qeveria nuk i përgjigjen.
Të dhënat zyrtare tregojnë se janë në total 880 struktura akomoduese (hotele) në qytet, me kapacitet 25 mijë shtretër ndërkohë që nuk mungojnë edhe banesa apo vila, që operojnë nëpërmjet platformave si AirBNB dhe Booking, të cilat mirëpresin turistë në një numër jo të vogël.
I gjithë ky fluks turistik që është në rritje nga viti në vit kërkon reflektimin dhe mbështetjen me projekte reale, pasi mungesa e tyre mund të çojë në një braktisje të shpejtë të qytetit, sapo cikli i rritjes në të cilin ka hyrë në tërësi turizmi në Shqipëri të përfundojë.
Ideja është të krijosh turistë besnikë dhe kanë dëshirë të rikthehen ose nëse, kjo është e vështirë, të paktën të jenë mesazhe pozitive në rrethet e tyre sociale që kanë jo pak ndikim. Nga turistët që ne hasëm në vizitën tonë, shumica u shprehën se nuk do të kthehen më për ta vizituar.
Sezoni 2022, Europa Perëndimore dhe Kosova e kthen në destinacionin e preferuar
Bashkia e Sarandës vlerëson se viti 2022 do të jetë një vit më i mirë sesa 2019-a, që deri më tani mbante rekordin në numrin e vizitorëve. Pranë kësaj bashkie ne morëm disa të dhëna paraprake mbi ecurinë e sezonit dhe sipas tyre, rezervimet shkojnë deri në fund të shtatorit.
“Kemi pasur një dyndje të madhe të turistëve të huaj këtë vit kryesisht nga Italia, mund ta quajmë një pushtim të italianëve në mënyrë figurative. Nuk mungojnë as spanjollët apo francezët por edhe nordikët.
Europa Perëndimore ka pasur një prani të gjerë e lidhur kjo edhe me hapjen e qarkullimit dhe tranzitet nga Korfuzi, ku turistët më pas vijnë në Sarandë. Gjatë këtij viti ka pasur edhe një numër të lartë të turistëve nga Kosova dhe kjo më së shumti lidhet me një nismë tonën të muajve të parë të vitit.
Kemi qenë aktivë me ekspozita dhe aktivitete në Kosovë, duke ftuar agjenci dhe individë të vijnë të pushojnë në Sarandë dhe numrat kanë qenë në rritje duke treguar se kjo ka funksionuar. Këtë do ta vazhdojmë si nismë”, – thanë përfaqësues të Bashkisë së Sarandës. Një tjetër element i sjellë në vëmendjen e tyre është ai për plotësimin e paketës turistike ku tashmë Saranda ka shtuar bashkëpunimin me bashki afër saj.
‘Kemi filluar të kemi një qasje për një paketë të integruar me bashkitë e Delvinës apo Finiqin për t’ia bërë turistit më interesant qëndrimin në Sarandë. Destinacionet përreth janë po aq mbresëlënës dhe kanë ç’të ofrojnë, ndaj kjo shihet si një formë promovimi për të gjithë”, – thanë të njëjtët përfaqësues.
Plotësohet paketa e industrisë detare, risi e sezonit udhëtimi me nëndetëse
Një eksperiencë unike i ka pritur pushuesit e këtij sezoni në Sarandë. Për ata që kanë preferuar të përjetojnë diçka ndryshe përveç diellit, detit apo çlodhjes në breg, mundësitë janë pasuruar edhe me një nëndetëse turistike që ofron në harkun e një ore një prej udhëtimeve më mbresëlënëse në Gjirin e Sarandës.
Nëndetësja gjysmë zhytëse, e para në Shqipëri e kësaj natyre dhe më një kapacitet prej 12 vendesh mund të shquhet lehtësisht në breg në ngjyrën e saj të kuqe dhe krejtësisht atipike për mjetet lundruese që jemi mësuar të shohim. Falë veçantisë që ofron kjo eksperiencë duket se është përqafuar shpejt nga turistët të etur për të zbuluar nëndetin në Gjirin e Sarandës e bashkë me të edhe një dimension historik që daton nga Lufta e Dytë Botërore.
Teksa nga xhamat e mëdhenj panoramikë në barkun e nëndetëses mund të shquash gjithçka në audio mund të dëgjosh historinë e anijes italiane të mbytur në gji. Të vetmit që mund të aksesonin këtë më herët këtë anije ishin zhytësit profesionistë dhe amatorët.
Por cila është historia e saj? Gjatë Luftës së Dytë Botërore në kohën kur Italia fashiste kapitulloi në qytete hynë gjermanët. Mijëra ushtarë italianë u ekzekutuan. Anija që i ishte drejtuar Shqipërisë për ndihmë u bombardua nga avionët. Destinacioni i dytë që vizitohet me nëndetësen është “cektina” ku thellësia është e vogël dhe mund të qëndrosh edhe në këmbë nëse zhytesh.
Përgjatë gjithë këtij udhëtimi mund të shquash lehtësisht peshqit e llojeve të ndryshme ndërkohë që udhëtimet bëhen edhe më mbresëlënëse gjatë natës ku “të joshur” nga dritat numri në kolonitë e peshqve bëhet edhe më i madh.
Ky dimension i ri i nëndetit të gjirit të Sarandës pasuron edhe më tej ofertën turistike të qytetit Jugor i cili ka pasur një rritje të ndjeshme të industrisë detare në tërësi në tre vitet e fundit.