Vritet me thikë një person në Sarandë, policia në kërkim të autorit

Një person mbeti i vrarë këtë të mërkurë në Sarandë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:30, në lagjen Nr.1 të këtij qyteti. Burime zyrtare të policisë thonë se viktima, identiteti i të cilit nuk dihet ende, mbeti i plagosur me mjete prerëse, dyshohet gjatë një konflikti të çastit.

Ai u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Në njoftimin e saj për mediat, policia e Sarandës thotë se po punon për të identifikuar viktimën, ashtu sikurse edhe autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Sot, rreth orës 18:30, në lagjen Nr.1, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka mbetur i dëmtuar me mjete prerëse një shtetas ende i paidentifikuar, i cili pasi është transportuar në spitalin e Sarandës, si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë punën intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe identifikimin e shtetasit që ka ndërruar jetë”, tha Policia e Sarandës në një njoftim për mediat.