Urdhri për ndalimin e mjeteve motorike në det/ Çipa: Bizneset do falimentojnë! Duhen masa në kohën e duhur, jo sot për sot

Arben Çipa, turoperator i Shoqatës së Industrisë së Turizmit, komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV urdhrin për ndalimin e daljes në det të mjeteve motorike lëshuar nga Policia Kufitare e Sarandës. Ai u shpreh se pezullimi nuk është vendimi i duhur, pasi do të sjellë falimentimin e biznesve, duke vënë në dukje se masat duhet të merren në kohën e duhur dhe jo sot për sot.

“Nga momenti që janë të qartë, ndjekin ato pika të ligjit, janë kaq të saktë. Pezullimi është veprimi më i lehtë, por a mendohen pasojat ekonomike, plus pasojat teknike, kur një mjet bllokohet dhe mbetet i mbyllur. Nuk mendoj se është veprimi i duhur, qoftë nga ana e autoriteteve, qoftë nga drejtoritë. Sezoni veror është vetëm një muaj. Bizneset është e sigurt që do falimentojnë, sepse koha është e shkurtër. Kritikojmë vendimmarrjet që merren sot për sot. Kemi edhe një kritikë tjetër ndaj autoriteteve, pasi shumë individë dhe subjekte që konsiderohen legale nuk janë legale. Ka një hierarki në shkeljen e pikave. Të jemi pak edhe njerëz pas një aksidenti tragjik që ndodhi. Aksidente të kësaj natyre kanë ndodhur edhe vite të shkuara. Për arsye se masat nuk merren në kohën e duhur do të arrijmë në momente të kësaj natyre. Ne kemi vënë në dukje probleme të kësaj natyre pa ndodhur aksidenti, apo incidenti. Trafiku është i pakontrolluar, i padisiplinuar, dhe kur vjen momenti flasim për një pemë në pyll. Ne do të qëndrojmë në krah të subjekteve, kudo qofshin, ku subjektet të kontrollojnë në mënyrë të shpejtë, brenda një ditë mundësisht, dhe të shohin dokumentacionin për herë të dytë”, tha Çipa.

I pyetur mbi rolin e pushtetit vendor dhe instancave lokale, Çipa, tha se nuk ka një bashkëpunim mes institucioneve, duke shtuar se në Sarandë ka shkelje dhe fenomene të tjera të paligjshme.

“Bashkia, autoritetet, administrata, duhet ta kenë hallin me njëri-tjetrin, për arsye se nuk shohim bashkëpunim mes palëve. Kur administrata s’ka një kombinim e çfarë presim pastaj nga subjektet. Nuk ekziston bashkëpunimi, s’ka përgjigje për shkresat që shkojnë me protokoll, aq më tepër ne si shoqata dhe organizata që s’marrim përgjigje. Nëse ju shkoni sot dhe bëni reportazh në Sarandë do të kuptoni shkelje që i kupton edhe ai që s’merr vesh nga turizmi. Nëse bashkia ka përcaktuar korridoret e hyrjes dhe daljes, aty ka filluar puna dhe ka mbaruar. Nuk ushtrohet një kontroll i përditshëm. Kërkohet një kontroll i zgjeruar dhe i shumëfishuar nga stafi. Ne si subjekte, anijet turistike detare të cilat operojnë në gjirin e Sarandës, është plus për qytetin tonë që ofrohet ky shërbim. Kundrejt rregullave, dokumentacionit, sigurisë, kemi marrë masa. Po shohim fenomene që s’janë dëgjuar. Nga njëra anë autoriteti lokal nuk lejon të ulet ura për t’u ulur njerëzit, nga ana tjetër lejohen platforma të jashtëligjshme. Nuk bëhet fjalë për siguri por piratizëm në sektorin e turizmit. Kemi kërkuar një kontroll të rrepte dhe rigoroz për evitimin e  fenomeneve. Kemi dalë në përfundimit, mos ndoshta nuk duhet të ketë autoritet lokal, të jetë liberalizëm, të merremi vesh me njëri-tjetrin?!”, shtoi Çipa.

Ndërsa u ndal te përvoja e vendeve fqinje, dhe propozimet e shoqatave dhe OJQ-ve, ai u shpreh:

Dashje pa dashje bartim një kulturë profesionale që nuk ngelet gjë tjetër veç ta implementojmë. Kjo lidhet me kulturën e gjithë komunitetit dhe kulturën profesionale të autoriteteve. Kemi propozuar projekte në detaje me qëllim që të implementohen me sukses, me kujdes, dhe me konkurrencë legale. Kjo pikërisht e pati suksesin pasi u votua dhe aprovua në Këshillin Bashkiak, dhe implementimi jo vetëm s’ka ndodhur, por është përkeqësuar në raport me vitin e kaluar. Në lidhje me skafet dhe mjetet motorike. Nuk është çështje se bashkia vendos një perimetër 100 m nga bregu se edhe kjo nuk është ligjore. Por çdo pushues e ka të drejtën të dalin nga perimetri. Lidhur me jet ski-të dhe skafet edhe këto kanë të drejtën të lundrojnë në një distancë nga 800 m nga bregu. Por edhe çdo përdorues i jet ski-ve do të duhej të kishte një patentë, me qëllim që ta përdorte. Edhe skafet motorike kishte zonë të paracaktuar ku mund të lëviznin. Nuk ndodh këtu kjo. Nga ana jonë kemi qenë të gatshëm të japim konsulencën tonë, të përcjellim praktikat ligjore. Por jo këtu flasim është miku i mikut të mikut, t’i japim lejen, ndodh diçka dhe pas tre ditësh harrohet, nuk mund të vazhdohet kështu. Duhet të marrim masat që të jemi të kontrolluar, siguria është e para”.

Ndërsa komentoi çështjen e hapësirave publike në plazhe dhe incidentin me pushuesit norvegjezë, Çipa i konsideroi si ngjarje që nuk duhen përgjithësuar.

Janë fenomene që na përfaqësojnë në mënyrë direkte apo indirekte. Lajmi i keq shpërndahet shumë keq, lajmet e mira s’vihen në dukje. Në lidhje me rastin jemi indinjuar të gjithë ne si subjekte, për arsye se ka qenë një veprim, ne si komunitet e kemi dënuar…Ky subjekt ka qenë problematik edhe më herët, dhe e përsërit. Ne nuk merremi me subjektin por çështjen. Ne kemi propozuar që çështja e plazheve të rishikohet për vitin e ardhshëm. Do të ndërtojmë një status të veçantë për kriteret e plazheve, si do të funksionojnë. Na mbetet të punojmë fuqimisht këtë dimër që ta rishikojmë situatën e plazheve, përfshirë tarifat. Është një subjekt që ka vepruar në këtë formë dhe s’mund të paragjykojmë gjithë Sarandën”.

Lidhur me pastërtinë dhe trajtimin e situatës me mbetjet ai tha:

 

Në pikun e sezonit, në çdo destinacion turistik krijohet një pakënaqësi qoftë nga trafiku, pastërtia. Do t’ju thoja se është vënë re se në fundjava sidomos shoh mbingarkesë në çështjen e pastrimit të mbetjeve, kjo vjen edhe si pasojë e ndërgjegjes sonë si qytetar. Një ditë nuk i mbajmë plehrat në shtëpi dhe t’i nxjerrim ditën e hënë. Kjo duhet ndarë, midis autoriteteve dhe ne qytetarëve. Kompania që merret me shërbimin e qytetit, kemi ankesa që shërbimet s’realizohen në kohën dhe mënyrën e duhur. Le të hapin veshët të gjitha palët dhe të marrin masat. Duhet të marrin masat, autoritetet përkatëse, kompanitë përkatëse”.

 

I pyetur mbi shqetësimin e boshatisjes së plazheve, Çipa shtoi:

 

Çështja është të zgjasë sezoni deri në muajin shtator. Në Vlorë vihet re vetëm fundjava që ka një rritje të turistëve dhe gjatë javës ka një rënie. Ka një shpjegim sepse Vlora nga ky vit ka filluar të jetë destinacion turistik edhe për të huajit, në mënyrë të organizuar. Do rikonceptohet akomodimi për turistët e huaj. Sa i përket Dhërmiut, Himarës, jam vet nga Himarë, dhe kam konstatuar se çmimet e akomodimet kanë qenë të larta, gjë që s’ka justifikim me cilësinë e shërbimeve. Një akomodim 250 euro për dy persona në natë është e ekzagjeruar, nuk jemi në Montekarlo, Ibiza. Nuk e justifikojmë dhe këtë e them me kompetencë. Saranda, falë edhe rrugës së re, dhe për faktin që kemi lidhje të drejtpërdrejtë me Korfuzin, na ka ndihmuar që prezenca turistike të jetë e mirë. Uroj që muaji shtator të jetë një muaj shumë i mirë në lidhje turistët e huaj. Le të bëjmë analizën në fund të tetorit”.