“Traditë, kulturë, shije”, panairi që promovon Delvinën
Bashkia Delvinë organizoi panairin “Traditë, kulturë, shije delvinjote”, një aktivitet që promovon produktet tradicionale të zonës së Delvinës.
Panairi “Traditë, kulturë, shije delvinjote” mblodhi bashkë delvinjotë që ruajnë dhe trashëgojnë traditat, si ato të punimeve artistike, punimeve me dorë, përpunimi artizanal i produkteve etj.
Kryetarja e bashkisë Delvinë, Majlinda Qilimi e konsideroi këtë aktivitet një promovim mjaft të mirë të produkteve të artizanëve, artistëve të sazeve delvinjote, bletërritësve, grumbulluesve dhe përpunuesve të bimëve medicinale, blegtorëve etj.
Kultura dhe tradita e këtij qyteti u ndërthurën në një festë të gëzueshme, ku ishin të pranishëm edhe vizitorë e turistë vendas e të huaj.
Deputetja e PS-së, Anila Denaj, e pranishme në këtë aktivitet, shprehu mirënjohjen për të gjithë ata qytetarë që me kontributin e tyre kanë lënë gjurmë në kulturën e këtij qyteti dhe vazhdojnë t’i përcjellin këto vlera te brezat e rinj.
Panairi u zhvillua në qendër të qytetit, në sheshin “Sulejman Delvina”, ku të gjitha bizneset, artizanët, agjencitë turistike, etj, kishin në dispozicion një stendë në të cilën reklamuan prodhimet e tyre.