Syri i Kaltër, infrastrukturë e re për këmbësorë e çiklistë
Në “Syrin e Kaltër”, rreth 30 minuta larg nga qyteti i Sarandës, është zbatuar projekti i rikualifikimit infrastrukturor, që e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt një prej perlave të natyrës shqiptare.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Syri i Kaltër, ku krahas pamjes magjepse të parkut, shihen mjaft vizitorë që frekuentojnë infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë.
“Syri i Kaltër në Sarandë, monument i natyrës që tani edhe me infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë, ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt një prej perlave të natyrës shqiptare”, shkruan Rama.
Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut.
Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.
“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota në çdo sezon veror.