Një ditë pas hapjes: Policia bën kërdinë në rrugën Kardhiq-Delvinë, “inagurohet” me gjoba
Policia rrugore ka nisur kontrollën në rrugën Kardhiq-Delvinë një ditë pas inaugurimit të këtij aksi.
Nga pasditja e djeshme deri më sot janë hequr 8 leje drejtimi, kryesisht për tejkalim të shpejtësisë.
Policia po vijon monitorimin e qarkullimit duke përdorur makinat inteligjente dhe dronë.
Njoftimi i policisë
Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër dhe atë të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas hapjes se këtij aksi të ri për qarkullimin e automjeteve, kanë filluar menjëherë monitorimin e qarkullimit, duke përdorur Poliscan-in, 2 makina inteligjente, radarë automatikë dhe patrulla në lëvizje me mjete të paloguara.
Gjatë monitorimit në këtë aks të ri rrugor, nga pasditja e djeshme deri në këto momente janë konstatuar kryesisht shkelje në drejtim të shpejtësisë, nga drejtues mjetesh që nuk kanë respektuar tabelat kufizuese për shpejtësinë e lejuar në këtë aks rrugor.
Janë pezulluar 8 leje drejtimi dhe janë vendosur 54 masa po për shpejtësi, por pa sanksionin plotësues pezullim i lejes së drejtimit.
Gjithashtu, janë vendosur 34 masa administrative për përdorim të celularit, në disa raste edhe për drejtues mjetesh që janë konstatuar duke filmuar rrugën, gjë që përbën rrezik potencial për tërheqjen e vëmendjes nga drejtimi i automjetit, që sjell si pasojë përfshirjen në ngjarje rrugore.
Janë vendosur 13 masa për parakalime të gabuara dhe 21 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit.
Policia Rrugore do të vijojë monitorimin e këtij aksi rrugor dhe të akseve të tjera rrugore nacionale, 24/7, duke përdorur mjetet logjistike bashkëkohore që tashmë Policia Rrugore ka në përdorim, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.