Kumbaro apel bashkive bregdetare: Mos neglizhoni pastërtinë dhe vrojtuesit në plazhe
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro i kërkoi sot bashkive bregdetare të mos neglizhojnë jo vetëm pastërtinë, por edhe përgjegjësinë që ato kanë sa i takon vrojtuesve në plazhet publike.
Në fjalën e saj gjatë takimit të Kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive, Kumbaro theksoi se “gjatë kësaj jave janë marrë disa gjoba nga AKB për këtë çështje. Dua ta theksoj këtë gjë edhe për bashkinë e Pogradecit, të cilën e kemi në vijën e plazheve. Bashki shumë e pastër, por duhet të forcojë rolin sa i takon vrojtuesve”.
“Bashkia Rrogozhinë duhet të bëjë më shumë sa i takon pastrimit të plazheve publike, e kuptoj që kryetari ka pak kohë që e ka marrë detyrën, por është një moment sfide për të dhe ne të gjithë. Në Vlorë kemi bashkëdakordësinë e bashkisë për të mos firmosur kontratat për stacionet e plazheve para që i përfiton drejtpërdrejt bashkia. Vetëm në Vlorë na ndodh një gjë e tillë, më vjen keq për një problem të tillë , por nëse nuk kemi bashkëpunim mes bashkive dhe AKB nuk mund të kemi sezon të garantuar . Nuk mund ta kthejmë sezonin në një mollë sherri mes nesh”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro bëri të ditur se “në 1 shtator do fillojë procesi i ndarjes së parcelave dhe do të mbyllet në 30 shtator. Në 15 tetor do të mbyllet gjithë kolaudimi, në 15 tetor hapim sistemin online dhe deri në fund të dhjetorit do jenë mbyllur historitë e ndarjes së plazheve”.
Sa i përket çmimeve, Kumbaro tha se “frekuentimi më i ulët për 15 ditëshin e parë të korrikut e kemi në Vlorë, por jo në të gjitha hotelet. Ato hotele që kanë treguar stabilitet në çmime vazhdojnë të jenë të rezervuara 100%. Himara është plotësisht e mbushur. Në Sarandë deri në 30 qershor vetëm në portin turistik të Sarandës kanë hyrë 24% më shumë vizitorë se sa vitin e kaluar. Qeparoi plot, Borshi plot, Kavaja, Durrësi, Shëngjini, nuk kanë problem në frekuentim”.
Lidhur me pastërtinë e qyteteve Kumabo tha se “kemi një situatë totalisht të re, të pastër dhe ka një përforcim dhe bashkëpunim mes të dyja bashkive dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Të dyja bashkitë, Durrësi dhe Kavaja kanë përfituar instrumente financiarë që është dhënë si një kusht që i është dhënë të gjithë bashkive që realizonin menaxhim të integruar, të mbetjeve nga koshi deri në pikën fundore. Është një situatë e re që nga plazhi i madh i Durrësit, Qerreti, Golemi, ku praktikisht janë të pastër jo vetëm plazhet private, por edhe pjesa e plazheve publike”.
“Tek pjesa e plazheve publike kemi ende shumë punë për të bërë dhe kjo është barrë e bashkisë dhe AKB për ta përballuar, por kjo shkon paralel edhe me një ndërgjegjësim shumë të madh që s’kemi për ta mbaruar asnjëherë sepse nuk ka për të mbaruar historia e ndërgjegjësimit të njerëzve”, tha Kumabro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “Lezha, Shëngjini, Tale vazhdojnë të jenë edhe më mirë akoma.Doja të theksoja për model për plazhet publike Sarandën, që janë pjesë e peizazhit urban dhe janë të pajisura me vrojtues e territore të pastra”.