“Çohu ik nga këtu ose hajde paguaj çadrën”, çmenduri në Sarandë, përzënë turistët e huaj nga plazhi sepse ishin me peshqirët e tyre

Shqiptarët dhe të huajt përballen çdo ditë me një realitet të hidhur kur shkojnë për të pushuar në brigjet tona: Ajo është babëzia e individëve që kanë zaptuar plazhet dhe kanë investuar në njësi akomoduese apo restorante, të cilët synojnë që të nxjerrin për dy muaj të gjitha paratë që mund të nxirrnin në një vend duke abuzuar me çmimet, por edhe sjelljen ndaj pushuesve.

Në rrjetet sociale është duke qarkulluar një foto ku disa turistë nga vendet nordike janë ulur me peshqirët e tyre në njërin prej plazheve të jugut të vendit, kur përballen me kërkesën e personave që kanë aty pranë shezlongët dhe çadrat për të paguar dhe marrë një çadër pak metra më tej ose të largoheshin prej aty.

Duke parë rezistencën e pushuesve të huaj, të cilët nuk janë mësuar me këtë sjellje në plazhe të tjera të rajonit, djemtë e çadrave egërsohen edhe më tej duke i kërcënuar pushuesit.

Gjatë ditëve të fundit policia ka ndërhyrë në disa plazhe në jug duke hequr shezlongët e bizneseve që nuk paguajnë taksa ndërkohë që ua shesin shërbimin pushuesve me çmime marramendëse.