Sarandë, dyfishim i turistëve gjatë muajit maj
Qyteti bregdetar i Sarandës gjatë muajit u vizitua nga një numër i lartë turistësh të huaj.
Dega e Përpunimit të Anijeve dhe Trageteve në portin e Sarandës bëri të ditur për ATSH-në se “muaji maj është mbyllur pozitivisht për portin e Sarandës, ku ka pasur një rritje të madhe të turistëve që kanë shkelur Shqipërinë nëpërmjet këtij porti. Gjatë majit në portin e Sarandës kanë mbërritur 10 635 persona dhe 40 automjete”.
“Ndërsa drejt Korfuzit ka pasur gjithashtu një rritje ku kanë udhëtuar nga Shqipëria 10 544 persona dhe 56 automjete”, informoi dega e Përpunimit të Anijeve dhe Trageteve në portin e Sarandës.
Sa i përket muajit qershor pritet përsëri një rritje dhe një dyfishim i mbërritjeve të turistëve në Sarandë nëpërmjet portit.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit.
Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.