Sarandë-Austri: Ridimesionim i marrdhënies së veçantë
Takimi mes Kryetarit të Bashkisë, Adrian Gurma me z. Christian Steiner, Ambasador i Austrisë në Tiranë, ishte shprehje e dëshirës dhe vullnetit të dyanshëm për t’u dhënë dimension të ri marrëdhënieve mes Sarandës dhe Austrisë.
Këto marrëdhënie dhe prania e faktorit austriak në këtë rajon kanë një histori më shumë se 100-vjeçare.
Është e njëhur se austriakët janë ndërtues të rrugës Vlorë-Sarandë (1918), e përjetësuar kjo edhe në memorialin që ngrihet në fshatin Shënvasil të Sarandës.
Kryebashkiaku Gurma është shprehur shumë falenderues, për praninë në vijimësi të donatorëve austriakë nga Graci i Austrisë, të gjendur pranë institucionit të Shtëpisë së Fëmijëve në Sarandë, me një paketë ndihme me objekte hotelerie, pajisje për kuzhinën, vegla muzikore e uniforma sportive. Ai nënvizoi se “Saranda në veçanti, ka qenë një destinacion tërheqës për investime serioze nga qeveria austriake”.
Dhe veçoi grantin e qeverisë austriake në vite për ndërtimin e ujësjellësit të Sarandës, interesimin e kompanisë së njohur austriake “Strabag”,një nga më të mëdhatë në Europë në fushën e investimeve, vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Bashkisë Sarandë dhe grupit të investitorëve austriakë, ASA, si dhe mbështetjen e dhënë nga qeveria austriake për shkollën e mesme profesionale Hoteleri-Turizëm “A.Athanas” etj.
Ambasadori Steiner, duke falenderuar për pritjen dhe bashkëbisedimin e ngrohtë, shprehu angazhimin e tij për forcimin e mardhënieve, jo vetëm në fushën ekonomike dhe arsimore, por edhe në turizëm art e kulturë, duke i konsideruar këto si mundësi të reja për zgjerim të bashkëpunimit dhe prezencës në Sarandë.