Këngëtarja nga Finiqi habit me rrëfimin: Donin të më ‘rrëmbenin’ në Greqi dhe Suedi në kohën e diktaturës
Këngëtarja Irini Qirjako e ftuar në emisionin “Fol Me Mua” ka folur për jetën e saj artistike. Qirjako për herë të parë ka zbuluar se nga Greqia dhe Suedia i kishin propozuar oferta joshëse në kohën e komunizmit, por këngëtarja shqiptare nuk e braktisi vendin tonë për shkak të frikës së “hakmarrjes” që sistemi diktatorial do të kryente ndaj familjes së saj.
“Kënga për mua është gjithçka është jeta ime, që 5 vjec kanë filluar të këndoj. Talenti lind me njeriun dhe kush di të menaxhojë atëherë është dicka shumë e mirë. Dalë nga dalë e kam kuptuar që kam talent, të gjithë komshinjtë më dëgjonin kur këndoja e vogël.
Dëgjoja Vace Zelën në radio dhe frymëzohesha nga ato. Në kohën e dikurshme kush mendonte se unë do të bëhesha këngëtare. Të ardhmen time e ka planifikuar mësuesi im i fillores. Isha 6-7 vjec dhe aty nis të këndoja në shkollë, më dukeshe ora e muzikës sikur isha në qiellin e shtatë.
Më pas shkova në festivalin e pionerëve në Sarandë, rreth 67-68’. Kishim orkestër profesionale dhe atëherë kishte seriozitet dhe profesionalizëm të madh. Më pas erdha në lice në Tiranë. Të gjithë mësuesit më thoshin zëri juaj është për kanto. Po nuk e pate zërin është vështirë që të bëhesh këngëtar i mirë. Ajo që të jep natyra është e përjetshme, nëse bën ushtrime zëri ishte i përjetshëm. Pas shkollës bëra një vit stazh, 8 muaj ndejta dhe më pas erdha në Tiranë. Fillova punë në pallatin e kulturës në kryeqytet.
Dilnim gati dy herë në vit jashtë shtetit edhe në kohën e diktaturës. Edhe po të më shkonte mendja unë kisha merakun e familjes, prandaj nuk doja të arratisesha. Më kanë thënë që Irini ty donin të të “rrëmbenin”, kishin plan rrëmbim për mirë në Greqi të më mbanin duke më ofruar kushte të mira, por kisha merakun e familjes. Tani ma tha këtë gjë një miku im para dy javësh në Sarandë. Nuk mund të këndoja dicka që doja unë të këndoja. Kam menduar një këngë polifonike greke.
Nuk më futën fare në konkurse sepse doja të konkurroja në gjuhën greke, po i them për herë të parë në televizion. Unë i doja këngët e nënës sime. Gazetarët e huaj në natën e fundit ata pyetën ku është ajo këngëtarja. Edhe kur më përkthente ai i sigurimit më thoshte: Kujdes. Më thanë kemi menduar të të marrim me studime në Suedi për specializim. Ai i sigurimit zgurdullonte sytë më thoshte kujdes. Dhe më pas i thashë specializimi im më i mirë është këtu në Shqipëri pranë popullit tonë,”- tregon Irini Qirjako.