Drejt përfundimit aksi Shijan-Ura e Gajdarit, pjesë e rrugës Kardhiq-Delvinë
Punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor Shijan-Ura e Gajdarit prej 5.5 km, pjesë e aksit Kardhiq-Delvinë janë drejt përfundimit.
Përfundimi i këtij segmenti rrugor do të bëjë të mundur lidhjen e Delvinës me Sarandën.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në këtë segment, i cili do të hapet provizorisht për tu përdorur gjatë këtij sezonit veror.
Më pas, në muajin tetor në këtë aks do të shtrohet edhe shtresa e fundit asfaltike. Aksi është zgjeruar nga 6 metër në 10.5 metër. Po ashtu, është bërë rregullimi i kthesave dhe disa pjerrësive.
Duke nisur nga data 2 korrik edhe tuneli i Skërficës parashikohet të hapet për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht po betonohen metrat e fundit të tunelit, ndërsa paralelisht po vijon puna edhe për sistemin e ndriçimit dhe atë elektro-mekanik.
“Për të gjitha veprat e mëdha kryhet një studim i mirëfilltë sa i përket lidhjeve me fshatrat apo zonat rurale, për shkak të zhvillimit të agrobiznesit kohët e fundit, por edhe me pikat kufitare për ti dhënë mundësi vizitorëve për hyrje të shpejtë në Shqipëri. Pra jo vetëm projekte të mëdha dhe më pas zona të izoluara apo fshatra që detyrohen të kalojnë në rrugët e vjetra”, u shpreh ministrja Balluku.
Ministrja Balluku bëri të ditur se po punohet në rehabilitimin e disa akseve rrugore në kuadër të sezonit turistik.