Rritet numri i turistëve në Butrint, rreth 4 mijë në katër muaj
Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës, gjatë muajve të parë të këtij viti ka shënuar një fluks turistësh vendas e të huaj.
Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrint, tha për ATSH-në se “qyteti Antik i Butrintit dhe muzeu i tij arkeologjik për periudhën janar-prill 2022 u vizitua nga 3895 turistë vendas e të huaj”.
Sipas saj, numri i vizitorëve për muajt janar-prill është rritur me 16% ose 2439 vizitorë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
“Ndërsa të ardhurat nga biletat për 4 mujorin janar-prill janë rritur me 273% ose 20 98 900 lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, tha Dhima.
Dhima bëri të ditur se, “vetëm gjatë muajit prill Butrinti është vizituar nga 2424 vizitorë në total, nga të cilët 689 vizitorë vendas, 1502 vizitorë të huaj dhe 233 vizitorë pa biletë. Po gjatë prillit janë gjeneruar në total 1814100 lekë, nga të cilët 483000 lekë nga vizitorët vendas, 1331100 lekë nga vizitorë të huaj”.
Gjatë vitit 2021 ky park u vizitua nga 52 924 turistë, nga të cilët 29 244 janë vendas dhe 23 680 të huaj.
Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti).