Rama: Hapen 2 kilometra në tunelin e Llogorasë, e përfundojmë para afatit
Në tunelin e Llogorasë, një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit, puna po vijon pa u ndalur për përfundimin e tij brenda afateve të parashikuara.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale foto nga tuneli i Llogorasë, në të cilin për 5 muaj nga nisja e punimeve janë hapur 2 kilometra.
Rama tha se kjo është një ecuri për t’u vlerësuar, ndërsa shtoi se “synojmë ta përfundojmë para afatit kontraktual për të qenë e aksesueshme nga të gjithë vizitorët e bregdetit të jugut”.
Tuneli i Llogorasë do të krijojë një lidhje shumë të shpejtë dhe do ta kthejë Parkun Kombëtar të Llogorasë në një destinacion më vete, jo thjesht në një rrugë kalimi të gjithë trafikut të sezonit turistik.
Me këtë vepër aksi Orikum – Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta.
Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërisë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun.
Në buxhetin e këtij viti, fondi i llogaritur për tunelin e Llogorasë është 4.67 miliardë lekë.