KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtares së Sarandës, Nevrie Duka(Halo)
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi mbrëmjen e të mërkurës më 18 maj vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit të gjyqtares së Sarandës, Nevrie Duka(Halo).
Në njoftimin e KPA-së thuhet se trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e gjyqtares Duka ndaj vendimit të Komisionit, vendosi të mënyrë unanime ta rrëzojë atë.
Gjyqtarja Nevrie Duka(Halo) u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 12 mars 2020, disa orë pas zhvillimit të seancës dëgjimore, për shkak të problemeve të shumta për kriterin e pasurisë dhe mungesës së burimeve të ligjshme në vlerën totale 17,4 milionë lekë.
Rivlerësimi i Dukës përfundoi vetëm për kriterin e pasurisë, pasi sipas KPK-së, ajo nuk arriti të paraqesë prova për të kundërshtuar barrat e provës.
Nevrie Duka punoi në sistemin gjyqësor shqiptar prej vitit 1995. Në dy dekadat e fundit, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Sarandës.