16 rrënjë kanabis dhe municione, pranga 63-vjeçarit nga Gjirokastra
Gjirokastër – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Në kuadër të operacionit për kontrollin e territorit është evidentuar dhe goditur një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Zenelaj”.
Gjenden dhe sekuestrohen fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe municion luftarak.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me strukturat e DVP Gjirokastër, në kuadër të kontrollit të imtësishëm të territorit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Zenelaj”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi B. N., 63 vjeç, banues në fshatin Zenelaj, Gjirokastër.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në fshatin Zenelaj, Gjirokastër, në afërsi të banesës së shtetasit B. N., janë gjetur të kultivuar 16 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.
Materialet në ngarkim të shtetasit B. N. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.