Shpërndanin kokainë, arrestohen dy persona në Sarandë; policia iu sekuestron drogën, automjete dhe telefona (Emrat)
Dy persona kanë rënnë në pranga në Sarandë pasi akuzohen se shpërndanin kokainë. Në pranga janë vënë Denis (Bledar) Beduli, 41 vjeç dhe Vasil Rraku, 42 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Njoftimi i policisë;
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “REKLAMAT”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, dy automjete dhe dy aparate celulare.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore 3-mujore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se dy shtetas posedonin lëndë narkotike kokainë dhe e shpërndanin atë në zona të ndryshme të Sarandës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “REKLAMAT”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– D.(B). B., 41 vjeç dhe V. Rr., 42 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, në lagjen nr.4, Sarandë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy automjete dhe dy aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarande, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.