Përdhunoi të miturën në Sarandë, Bajram Tusha sërish probleme me drejtësinë
72-vjeçari Bajram Tusha i cili akuzohet të ketë abuzuar seksualisht me një 17-vjeçare në Sarandë ka shkelur masën e sigurisë që ishte vendosur ndaj tij dhe është larguar nga banesa ku ndodhej me arrest shtëpiak.
Njoftohet se specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në ngarkim të Tushës.
DOSJA
Vajza është abuzuar që në moshën 9-vjeçare nga Bajram Tusha, ndërsa në dosjen e prokurorisë thuhet se me këtë të fundit familja e saj ka pasur edhe një marrëdhënie krushqie.
E mitura ka rrëfyer se Bajrami ka abuzuar me të në banesën e tij, në fshatin Metoq. Ajo ka pohuar se Tusha e ka detyruar vazhdimisht të kryejë marrëdhënie seksuale në shtëpinë e tij dhe në të sajën, ndërsa kjo histori ka zgjatur deri kur ajo mbushi moshën 15-vjeçare.
Në dosjen e prokurorisë thuhet: “Tusha e ka prekur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pasi ajo e ka kundërshtuar ai e ka goditur dhe me pëllëmbë. Por një ditë ai arriti përmes dhunës të abuzonte me të miturën në dhomën e gjumit të saj, gjatë kohës që jetonin me qira në shtëpinë e Bajram Tushës. Ai i tha mos i thuaj njeriu, se do ta vriste. Kjo ka ndodhur dhe herë të tjera, madje dhe kur u larguan nga shtëpia e tij, pasi familja e saj shkoi të banonte në banesën e vajzës së 72 vjeçarit”.
Më tej në kallëzimin e saj 17-vjeçarja ka dëshmuar se edhe dy persona të tjerë kanë abuzuar me të, të dy të njohur të familjes. Para një viti ka abuzuar me të një 63-vjeçar nga fshati Shelegar, ndërsa i dyti është 54 vjeçar që banon në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Në dosje citohet konkretisht: “Në përfundim vajza ka deklaruar se këtë ngjarje nuk do ta kishte deklaruar për shkak të frikës, por pasi ka njohur të dashurin e saj, ai e ka bindur që të denonconte këtë ngjarje”.
Lidhur me këtë ngjarje është pyetur edhe mësuesja e 17-vjeçares. Ajo ka thënë se Bajram Tusha vinte shpesh me të atin e vajzës dhe madje është zënë me një nxënës që ngacmoi 17-vjeçaren.
Mësuesja ka thënë po ashtu se 17-vjeçarja ka qenë objekt bullizimi në klasë, kryesisht nga djemtë që vinin nga fshati i saj, Gjashtë. Arsyen konkrete se përse ata e ngacmonin ajo nuk e ka ditur dhe kur kur ka pyetur 17-vjeçaren, nuk i ka dhënë shpjegime.
Po ashtu për ngjarjen janë pyetur edhe tre të akuzuarit. Në dosje thuhet se: “Bajram Tusha i ka pranuar pjesërisht të dhënat e pretenduara nga kallëzuesja”.
Po ashtu në dosjen e prokurorisë thuhet se është bërë edhe një përgjim ambiental, ku janë siguruar prova që çoi në arrestimin e 72-vjeçarit.