Adrian Gurma në panelin e Kongresit të PS-së, dedikuar energjisë, mjedisit, dhe transportit
Përveçse i pranishëm në punimet e Kongresit të 9 prillit të PS, Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma ishte pjesëmarrës aktiv në panelin dedikuar energjisë, mjedisit dhe transportit.
Në këtë panel, që pati për moderatore Ministret Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro, Kreu i Bashkisë Gurma, u fokusua në përcjelljen e përvojës së fituar gjatë punës gati njëvjeçare, të bërë në kuadër të projektit të riciklimit.
Ai tha se Bashkia e Sarandës ndjehet e privilegjuar nga përfshirja në këtë program të qeverisë gjermane, nëpërmjet projektit të GIZ, që ka filluar në 17 qershor dhe është në vijim. Ai tregoi se si projekti “Menaxhimi i Modernizuar i Mbetjeve të Ngurta dhe Ekonomia Ricikluese”, i financuar nga GIZ Albania, ka mundësuar grumbullimin e Mbetjeve të Riciklueshme në qytet sipas modelit derë më derë dhe ndarjen në burim në pjesën më të madhe të marketeve më të mëdha për mbetjet e kartonit dhe në rreth 15 bar-restorante përgjatë shëtitores së qytetit dhe dërgimin e tyre në Qendrën e Grumbullimit në Vollider.
Për vitin e parë (2021) në qendër u grumbullua një sasi prej rreth 20 tonë karton i valëzuar dhe rreth 1-2 ton plastikë (PET), ku kartoni u shit totalisht në kompaninë e riciklimit. Për vitin 2022, Gurma tha se Bashkia do t’ia kalojë grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme kompanisë së pastrimit të qytetit dhe menaxhimin e qendrës në Volloder do ta kryejë vetë. Për vitin 2022 u tha se propozohet të futën në skemë edhe të gjitha institucionet arsimore të Bashkisë së Sarandës.