Në ditën e gruas dhe me një autore grua, çelet ekspozita e parë e vitit në galerinë e Sarandës
Është zgjedhur pikërisht 8 Marsi, edhe për të shënuar nisjen e veprimtarisë artistike të vitit 2022 në Galerinë “Art-Saranda”.
Ekspozita e parë për këtë vit u hap pikërisht në Ditën e Gruas dhe me një autore grua.
Ajo është Afërdita Murtaj, me originë nga Markati i Sarandës, me CV artistike të admirueshme në fushën e artit pamor, e specializuar në Kosovë e në Itali dhe me një profil të vetin në pikturë.
Edhe vizitoret e para të ekspzoitës së saj, ishin kryesisht gra e vajza, në Ditën e tyre të shënuar e të dedikuar. Bashkë me to, në përurim morën pjesë krijues të njohur të Sarandës, dashamirës të artit etj.
Duke i dhuruar autores së ekspozitës karafilin e 8 Marsit, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma e ka cilësuar atë dallandyshen e parë të pranverës artistike që Saranda çel, me punimet në pikturë të Afërdita Murtajt.
Në fjalën e vet, ai i ka mëshuar anës sociale të 8 Marsit, si ditë që më së shumti festohet, por ka të pandarë nga kjo edhe anën e saj sociale, për më shumë të drejta e barazi gjinore, për një rol e akses në rritje të saj në shoqëri dhe për të ndalur dhunën ndaj grave dhe vajzave.
“Ku ka më mirë se sa të vijë ndërgjegjësimi përmes artit- u shpreh ndër të tjera Kryetari Adrian Gurma- për të kuptuar e për t’u ndërgjegjësuar që të kemi gra dhe vajza pjesëmarrëse në shoqëri, pasi ato janë bërthama e familjes dhe e shoqërisë”.
Autorja Afërdita Murtaj u shpreh mjaft falenderuese për mundësinë që iu dha në vendin e origjinës së prindërve të vet, duke thënë se ndjehej e plotëëuar për të qenë në këtë ditë në Sarandë. “Arti në Sarandë ka ecur mjaft- tha ajo- dhe mendova se është momenti i duhur për të qenë këtu”.
Të pranishmit bënë pastaj një guidë në 33 punët e ekspozuara të autores Afërdita Murtaj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 8 prill.