Kryeministri grek: Kush përfiton nga rritja e energjisë, do paguajë për shtetin
Greqia do të kontrollojë financat e firmave të saj energjetike dhe do të taksojë çdo fitim të ardhur nga rritja e çmimeve të energjisë, lajmi u dha nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
“Unë nuk do të hezitoj, qeveria jonë nuk do të ngurrojë…të ligjërojë një taksë për çdo fitim të tillë,” u shpreh Mitsotakis para parlamentit duke shtuar se të ardhurat do të përdoren për të ndihmuar konsumatorët grekë që vuajnë nga rritja e faturave të energjisë.
Nga viti i kaluar Greqia ka shpenzuar më shumë se 2.5 miliardë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet, bizneset dhe fermerët. Athina është zotuar të sigurojë 1.1 miliardë euro të tjera në subvencione shtesë dhe zbritje të çmimit të karburantit.
Greqia importon rreth 40% të gazit të saj nga Rusia dhe gjithashtu ka kontrata me Azerbajxhanin dhe Algjerinë. Mitsotakis tha se qeveria e tij do të fillojë të rishohë burimet e mundshme të gazit jashtë ishullit të Kretës dhe në detin Jon.
Kryeministri grek riafirmoi edhe nevojën për të vendosur rregulla për çmimet e gazit në nivel evropian dhe propozoi krijimin e një tregu të përbashkët për gazin natyror nga BE.
Qëndrimi i Greqisë është pranuar nga Spanja, Italia dhe Portugalia, por ndeshet me hezitimin e Gjermanisë, Holandës, Austrisë, Suedisë dhe Danimarkës të cilët shprehen kundër ndërhyrjeve në treg.