Gjuha e Gjirokastrës që nuk e merr dot njeriu
Nga Alkesander Cipa
Gurët në këtë qytet, janë fjalë dhe gërma të një shkrimi të ngjeshur gurgdhendësish të një kohe vijuese. Këta, pra gurëgdhendësit, nuk janë thjesht ustallarë të një brezi, por janë sua mjeshtrash të një kohe, që shtrihet në të shkuarën dhe vijon të zgjatet në të ardhmen. Ata e kanë të tyre këtë gjuhë me brendi të së njëjtës jetë në disa breza dhe befasi të të njëjtit art në pakohësi.
Gurëgdhendësit këtu, janë një specie që nuk mund t’i gjesh e as mund t’i takosh tjetërkund. Ata janë anonimë si në poezinë më të bukur orale të këtij populli dhe eposit tonë. Arti i tyre është si puna e mjeshtërisë së aedëve, si e vjershëtorëve natyralë, si e skulptorëve që nuk kanë ardhur dhe janë gatuar nëpër galeri apo studio, por janë formuar përmes daltimit në një shkollim unik për format unike dhe gjuhën aq universale të gurëve. Ata janë Homerë të një arti që nuk krijohet vetëm në të shkuarën, aq më tepër në antikitet, por që vijohet me bukuri të tillë në rrjedhësinë kohore, duke u shfaqur e shijuar si i tillë, në imazhin real të arkitekturës dhe elementeve të gurta të saj.
Në këtë qytet janë fjalët e një gjuhe universale pa shkronja, të një njerëzie të pagjendshme gjetkë.
Të vetmit që e zotërojnë këtë aftësi gjuhe dhe komunikimi janë gurëgdhendësit e disa shekujve varg. Ata nuk e patën kurrë vështirësi dhe hall moskuptimin e gjuhës së tyre të mishëruar në forma dhe shenja gurësh. Ata punuan për të gjallët si bashkëkohës dhe ishin të vetëbindur për kuptueshmërinë e artit të tyre. Shoqëria njerëzore e qytetit nuk ua trazoi atë gjuhë, madje për ta cilësuar atë vlershmërisht, ndoshta vlen më shumë fjala gluhë se sa gjuhë. Këtë art gurëshkrues e formëdhënës, këta mjeshtra e lenë mishërueshëm me një qetësi dhe madhështi murg-uese, për bashkëkohësit, pasardhësit dhe pasardhësit që ende nuk janë projektuar për ardhjen e tyre.
Në këtë mënyrë, tek gurët e këtij qyteti, të lidhur dhe bashkuar në arkitekturën më të rrallë në Botë, mund të gjesh dhe lexosh pa qenë nevoja e njohjes se disa alfabeteve, gluhën e bukur të kalldrëmtë dhe të qosheve të skalitura. Në këtë qytet është kjo gjuhë unike që nuk e flet njerëzia, por e ka të fiksuar qyteti në veshjen dhe fytyrën e vet.
Kjo befasi dhe njëherësh kërshëri njerëzore, që të zgjon dhe imponon gjuha e gurgdhendjes gjirokastrite, do të paraprijë ardhësit e nesërm dhe të tejkohshëm të botës sonë në këtë rruzull.
Në këtë mënyrë, Gjirokastra e ka sfiduar arkeologjinë e ardhme, sepse materien e shkruar të artefakteve të veta e ka të tillë si pamje të plotë qyteti që është i destinuar të ketë moshën e gurit. Në historinë dhe jetën e qyteteve të tjera të botës, artefaktet kërkohen nën dhe apo në rënoja, tek ky qytet së pari, i gjen tek pamja dhe nuk të mjafton koha për t’i mësuar të gjitha ato që mban dhe fsheh në thellësitë e veta.
Në këtë qytet njeriu fiton ndiesinë dhe ndërgjegjen e kohës së pamjaftueshme për shkak të një kohe të gurtësuar me art që vjen pakufizueshëm nga e shkuara dhe trashëgohet paditurisht drejt së ardhmes.