Energjia, Rama: Gjërat janë çdo ditë e më keq, të shkojmë drejt paneleve diellore

Kryeministri Edi Rama, në një takim me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, deklaroi se bizneset e mëdha duhet të mendojnë seriozisht për prodhimin vetë të energjisë me panele diellore, ndërkohë që qeveria do të mbështesë edhe familjet që duan të investojnë për të tilla panele.

“Gjërat janë çdo ditë e më keq. Të gjitha vendet po gjenden në një situatë krejt të paparashikuar dhe të paparashikueshme të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë. Dhe frika nuk është rritja e kostos, por mundësia e mungesës së energjisë.

Ne kemi marrë përsipër diçka që e konsiderojmë të domosdoshme për të mbajtur një frymëmarrje normale për një kohë të vështirë për të gjithë: mosrritjen e çmimit për familjarët dhe biznesin e vogël. Ndërkohë që për pjesën tjetër, është diskutim tjetër.

Bizneset e mëdha duhet seriozisht të mendojnë për të investuar në vetëprodhim të energjisë, pa pretenduar që të bëhen prodhues për të gjithë sistemin. Ne po përgatisim një plan për të mbështetur familjarët, nëse familjet do të duan të investojnë për panele diellore dhe bizneset që duan të prodhojnë energji për fabrikën e tyre gjatë ditës. Problemi është që nuk do të ketë energji natën, por në kushtet e një fabrike që aktivitetin kryesor e ka gjatë ditës, kjo është më e arsyeshme”, tha Rama.

“Kjo nuk ka lidhje vetëm me luftën apo krizën, por me të ardhmen. Çdo biznes i madh që ka konsum energjie të lartë, që investon vetë për energjinë me panele diellore, bën një investim jashtëzakonisht të arsyeshëm dhe me përfitim të madh në kohë”, shtoi kryeministri.