Deputetja e Sarandës, Zhupa: Demokratët të shmangin retorikat dhe të hyjnë në dialog pa kushte për bashkimin e PD
Demokratët duhet të shmangin retorikat dhe të hyjnë në dialog pa kushte për bashkimin e PD-së.
Me këtë propozim, deputetja demokrate Ina Zhupa synon mbledhjen e të gjithë deputetëve të kampit blu pa u cilësuar si palë e Bashës apo e Berishës, por si pjesë e Partisë Demokratike, duke paraqitur platformat e tyre.
“I vetmi organ i pandryshueshëm është grupi parlamentar demokrat që ka legjitimitet nga të gjithë shqiptarët.
Mbledhje deputetësh të PD-së që synon të flasim dhe paraqesim platformën për të arritur te bashkimi. Unë kam propozimet e mia që dua t’i them atje dhe jo në media që i marrin dhe i diskutojnë analistët.
Atje duhet të jetë arena e diskutimit. Duhet të një hap i parë ku njerëzit flasin hapur. PD-ja ka disa themele që janë fjala e lirë, kemi bërë betejë për fjalën e lirë. Duhet të përgjigjemi në tagrin personal dhe jo si palë e Berishës, apo e Bashës, se në këto kushte nuk zgjidhim asgjë, por të njihemi si njerëz të PD-së. Ky është hapi i parë.”
Në studion e “Ditarit” në A2 CNN, ajo tha se në këtë propozim përfshihet edhe Berisha e Basha që të jenë kontributorë të bashkimit të demokratëve dhe të lënë mënjanë retorikat e ndasitë.
“Basha ka bërë një akt të lartë qytetar dhe përgjegjshmërie duke treguar që beteja ishte për PD-në dhe demokratët. Asnjë nga palët nuk mund ta mundte vetëm Ramën në zgjedhje. Realiteti duhet parë siç është dhe jo t’i vendosim kushte njëri-tjetrit për t’u ulur dhe për të folur. Duhen zhbërë disa gjëra nga të dyja palët që të ketë kompromis për bashkim, por unë jam që Basha dhe Berisha të jenë kontributorë në këtë proces bashkimi. Unë bashkimin e kuptoj me mbledhje, jo me heqje. Demokratët duhet të respektohen në zgjedhjet që do të bëjnë, duhet të hyjnë në dialog pa kushte”.
Zhupa përjashton mundësinë e krijimit të një force të re politike nga Basha dhe thekson se ish-lideri demokrat i duhet PD-së sikurse edhe Berisha, ndërsa apelon për shmangien e retorikës ndaj njëri-tjetrit.
Basha është një person i jashtëzakonshëm dhe me vlera që i duhet PD-së dhe nuk ka nevojën për parti të re të tij. Ndaj në propozimin tim, janë edhe Basha dhe Berisha që secili me kontributet e veta të jetë pjesë e PD-së. Duke gjetur pikat e përbashkëta dhe anët e mira për t’u ngritur.
Selia e PD-së qëndroi seli e PD-së. Retorika nuk na bën mirë për bashkimin. Kam propozuar të takohemi në kryesinë e Kuvendit për të mos mbajtur ngarkesat e asaj selie. Të shmangim edhe retorikën” .
E pyetur për procesin e zgjedhjes së presidentit, ajo thekson se kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj është në detyrën e tij dhe nuk krijon boshllëqe.
“PD-ja ka një kryetar grupi që është personalitet, një nga shtyllat e PD-së dhe me kontribute, ndaj në këtë pikë ai po kryen funksionin e tij dhe nuk krijon boshllëqe. Të ndajmë jetën parlamentare me problemet e brendshme dhe s’duhet të lëmë të na marrë rrjedha e brendshme e mos t’i përgjigjemi nevojave të qytetarëve dhe kërkesave të tyre, apo të mos bëjmë opozitën që është puna jonë e përditshme, si ligjvënës në parlamentin shqiptar”.