VIDEO/ Saranda përgatitet për verën, synohet të arrihet shifra e vitit 2019-të, 750 mijë pushues
Me të mbaruar një sezon veror, qytete si Saranda që prioritet kanë turizmin nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Infrastruktura rrugore, sigurimi i ujit dhe energjisë elektrike janë nistoret e një sezoni të mbarë.
Kryetari i Bashkisë Sarandë, Adrian Gurma tregoi për RTSH përgatitjet që po bëhen për të pasur një sezon sa më të mirë.
Viti 2021 ka kompensuar disi ecurinë e dobët të vitit 2020, duke u dhënë frymëmarrje hoteleve të zonës. Për këtë vit synohet të arrihet shifra e para pandemisë, rreth 750 mijë pushues në 2019-ën.
Kapacitetet akomoduese turistike të Sarandës vijnë dukshëm në rritje. Numërohen 836 struktura akomoduese të regjistruara ne Sarandë e Ksamil.