Ngjarjet kryesore të javës në Sarandë: Situata me Covid, lehtësirat drejt Greqisë, tuneli Skërficës, tek plani për seoznin e ri turistik
Nga Thoma Nika
Duke raportuar sot për atë që po përsëritet pak a shumë e njëjta gjë: fundjavat janë diellore, të ngjashme me ditë pranvere, ndërsa fillimet e javës vijnë me prishje të motit të mirë.
Duket se me nisjen e kësaj jave të re, ka nisur edhe një situatë më e qetësuar nga Covid. Infektimet kanë rënë në 3 në 24 orët e fundit, nga shifra 10 herë më të larta që kishte java e kaluar. Por kjo nuk është thjesht çështje statistike. Mjediset e spitalit bashkiak duket që kanë një shkarkim të nga të infektuarit apo të dyshuarit si të prekur nga Covid. Më shumë njerëz gjen tani në qendrat e vaksinimit, se sa në klinikat që kryejnë testet covid, në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetsor apo në klinikat private që funksionojnë në Sarandë. Mbetet të shpresojmë se na presin ditë dhe javë edhe më të lehtësuara nga pandemia. Në këtë situatë më të mirë, heqja e orës policore është ndër kerkesat e para që vjen nga të gjitha bizneset, por sidomos nga ato që ofrojnë turizëm.
Një lehtësim surprizë ka ardhur për udhëtimet drejt Greqisë. Dita e djeshme ka qenë e para kur në kufi është hequr kërkesa për të patur testin anticovid, duke u mjaftuar kështu vetëm me pasaportën e vaksinimit. Ndërkohë, në pikat e kalimit kufitar me Greqinë nuk ka dalë tepër kryerja e testit të shpejtë, nga përgjigja negative e të cilit kushtëzohet hyrja në shtetin fqinjë.
Lajme të mira vijnë edhe nga vepra që afron më shumë Tiranën me Sarandën. Informacionet më të fundit thonë se puna për Tunelin e Skërficës kanë përparuar dukshëm. Janë realizuar në fundjavën e kaluar rifinturat e nevojshme për veshjen në faqet e tunelit, gjë që po e bën më të afërt ditën kur ai do të bëhet i kalueshëm dhe do t’i vihet në shërbim të udhëtarëve e sidomos të prurjes turistike të kësaj vere.
Saranda mbetet qendra e gravitetit të zhvillimeve turistike, e ndikuar pozitivisht edhe nga ky investim madhor në infrastrukturën rrugore. Por, duke qenë se të ofrosh turizëm, nuk është baraz me thjesht të ofrosh hotel dhe plazh, pikërisht për këtë arësye, në Sarandë ka filluar të punohet në disa plane. Bërjes sa më mirë të punëve të sezonit, i ka ndihmuar edhe një Tryezë për Turizmin, që është mbajtur paraditen e të dielës, me prani të disa kryetarëve të bashkive jugore, me hotelerë dhe me subjekte që administrojnë plazhe në Sarandë dhe në Ksamil.
Si hallkat më të rëndësishme për turizëm cilësor më 2022, u veçuan: ndotja mjedisore dhe ajo akustike që vjen nga lokalet dhe nga anijet turistike, stacionet e plazhit dhe turizmi pa kufij sezonalë dhe territorialë. Këto ishin pikat ku u ndal fort edhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Kumbaro, e pranishme në tryezën e 6 shkurtit në Sarandë. Duke cilësuar bizneset si ndotësit më të mëdhenj, Ministrja Kumbaro tha se është e patolerueshme që mbahet pastër hoteli dhe qelbet rruga për të ardhur te hoteli. Kumbaro ka paralajmëruar se ky sezon do të ketë rregulla, ligje dhe ndëshkime. Ajo bëri publike se Saranda përfshihet në 4 bashkitë, për të cilat do të kontratohet një operator pastrimi vetëm për bizneset dhe ato nuk kanë më punë me koshat e mbetjeve urbane të qytetarëve. Për Stacionet e plazhit u tha se do të aplikohet me kritere të reja e të forta dhe me monitorim të funksionimit të tyre gjatë sezonit dhe se kontratat do të lidhen vetëm për një vit. Kumbaro ishte e prerë kur tha se pas 1 majit për çdo hotel që ka ngritur beach bare pa leje, ato do të prishen, nëse nuk do të jenë ligjëruar deri atëhere.
Sa u takon zhurmave që gjenerojnë diskot e lokaket, zonja Kumbaro tha se do të lejohen të punojnë pasi të kenë siguruar izolimin akustik, pasi 10% e turistëve duan muzikë pa limit dhe nuk do të lejohet të injorohen interesat e 90% të tjerëve, tha ajo. “Saranda nuk është vetëm Saranda”, tha Kumbaro, duke kërkuar si nga Bashkia edhe nga hoteleria, që informacionin turistik për atë që ndodh rreth tyre, ta vënë në përdorim, për të dalë nga lokacioni e nga harta e tyre turistike, për të ofruar sa më shumë atraksion e variacion përtej vetes, për çdo fashë turistësh.