Mbollën 1700 rrënjë kanabis në Gjirokastër, arrestohen 2 persona
Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër pasi në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë të arrestuar 6 muaj më parë, kanë tentuar të kultivojnë 1700 fidanë të dyshuar cannabis sativa në një ambient të hapur në fshatin Këllëz.
“Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasit H. B., 43 vjeç, banues në Gjirokastër dhe M. B., 66 vjeç, banues në fshatin Qesorat, Gjirokastër, pasi dyshohet se janë bashkautorë të ngjarjes së ndodhur në muajin gusht të vitit 2021, midis fshatit Këllëz dhe Dhoksat, Gjirokastër, në një ambient publik, ku u gjetën 1700 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Në muajin gusht të vitit 2021, në kuadër të këtij procesi hetimor, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas tjetër. Vijon puna për kapjen e tij.”, bënë me dije policia.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.